Një Botëror i Formula 1 i mbyllur në vend të 4-t për konstruktorët dhe i njëjti vend për pilotin Serxho Perez, i cili largohet në 2021-shin për t’i lënë vendin Sebastian Fetelit. Skuderia “Racing Point” e përshëndet kështu 2020-ën dhe është gati të ndryshojë emrin dhe ngjyrat për sezonin e ri, duke kaluar nga roza te jeshilja, për t’u quajtur “Aston Martin Racing”.
Ajo që mbetet është bashkëpunimi me sponsorin “Bwt” (Best Water Technologies). Kompania nga Mondse, – qytet në pjesën e sipërme të Austrisë, – është e specializuar në fushën e trajtimit të ujit. Me këtë kompani skuderia “Racing Point”, para nisjes së Botërorit 2020, ka firmosur një akord për të ndihmuar fëmijët në nevojë në Gambia dhe pjesë të tjera të Afrikës.

Për çdo vend në 10-shen e parë të pilotëve Lens Stroll dhe Serxho Perez në 17 gara e kampionatit që përfundoi, do të hapej një pus në Afrikë për të graantuar një nevojë jetësore si uji i pijshëm, i pastruar nga bakteret dhe çdo lloj rreziku tjetër që mund të shkaktojë sëmundje. Nga vendi i 6-të i Perez në garën e parë në Spielberg (Austri), te vendi i 10-të i Stroll në Abu Dhabi, në total janë 25 herë që meksikani dhe kanadezi janë përfshirë në 10-shen e parë.
Kështu, në Gambia dhe në disa vende të tjera të Afrikës do të hapen 25 puse uje. Një numër shumë i vogël në krahasim me 10 mijë puset e premtuar nga “Bwt” brenda 7 viteve të ardhshme, por gjesti i bamirësisë nga skuderia “Racing Point” është për t’u përshëndetur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




