Gazeta Si – Mbyllet procesi i votimit për zgjedhjet lokale në 18 komunat në Kosovë, të cilat në raundin e parë dolën në balotazh.
Sipas të dhënave të KQZ, me mbylljen e zgjedhjeve në orën 19:00, nga 18 komunat që shkuan në balotazh, vetëm në Mitrovicë të Jugut dhe në Junik pati pjesëmarrje më të madhe në votime sesa në rundin e parë.
Ndërkaq, komunat që zhvilluan balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.
LVV pritet të fitojë në Gjilan e Fushë Kosovë
Sipas exit poll-eve të publikuara, kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, pritet të fitojnë në Gjilan dhe Fushë Kosovë.
LVV-ja ka qeverisur edhe mandatin e kaluar në Gjilan me kandidatin aktual, Alban Hyseni, ndërkaq Fushë Kosova që nga përfundimi i luftës është qeverisur nga LDK-ja.
Kandidati i LVV-së për Fushë Kosovë është Valon Prebreza.
Exit poll-et: LDK fiton Prishtinën
Sipas tri exit poll-eve, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës parashihet që të udhëheqë edhe për një mandat me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.
Rama u përball në Prishtinë në rundin e balotazhit me Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje.
Exit poll-et: Gjakova vazhdon me Gjinin
Sipas tri exit poll-eve, Adrian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës parashihet që të fitojë edhe një mandat në Gjakovë.
Në raundin e balotazhit ai u përball me Adrian Golën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Exit poll-et: Pejën e fiton LDK, Gazmend Muhaxhiri
Kryetari aktual i Pejës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Gazmend Muhaxhiri, parashikohet të fitojë edhe një mandat.
Kundërshtari i tij ishte Taulant Kelmendi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



