Politike

Balluku u rikthye në detyrë, Berisha: Arsyetimi i Kushtetueses, identik me deklaratat e Ramës

Nga Gazeta ‘Si’- Berisha i quajti zhvillime të paprecedenta në 32 vitet e fundit ngjarjet e ditëve të fundit, që përfunduan me vendimin e Kushtetueses për të pezulluar vendimin e Gjykatës së Posaçme që pezullonte nga detyra zv.kryeministren Belinda Balluku.

Duke folur në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, Berisha tha se gjithsesi sipas tij ajo që ndodhi ishte e pritshme.

Në fjalën e tij Berisha tha sipas tij se argumentimi i shumicës në vendimin e Kushtetueses, ishte i njëjtë me deklaratat e kryeministrit, se pezullimi i Ballukut, paralizohej qeveria.

“Për herë të parë në 32 vite, kreu i qeverisë kalon në sulm të hapur kundër ndëshkimit të korrupsionit. Në rastin në të cilin ai vetë ka ndarë paratë. Akti i tillë është ndër më të pashembullt, nuk them se është më i pashembullti në botë, se bota ka autokratë dhe Edi Rama nuk është i vetmi, por në një vend që aspiron, se i lirë nuk është Shqipëria, por që aspiron integrimin europian, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë kurrë.

Në qoftë se lexoni arsyetimin e shumicës dje, është identik, fjalë për fjalë, mishëron në një deklaratat e kryeavokatit Edi Rama, sepse ata vendosin pezullimin e pezullimit. Sepse ata marrin përsipër anulimin e procesit ligjor të animimit në shkallët e tjera të procesit gjyqësor. Sepse ata morën të mirëqenë pretendimin e Edi Ramës se qeveria paralizohet”, tha Berisha.

Mandej ai e quajti absurditet vendimin e Kushtetueses.

“Qeveria nuk pezullohet as me një zëvendëskryeministër, as me tre, as me pesë ministra. Këshilli i Ministrave vendos me shumicë. Dhe këto pretendime të Edi Ramës janë pretendimet e një njeriu që është kapur duke vjedhur dhe do të mbrojë paratë e tij. Pra, shuhet çdo shpresë se nëpërmjet pushtetit gjyqësor mund të luftohet realisht korrupsioni”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë