Nga Gazeta 'SI' - Zv.kryeministrja Belinda Balluku, gjatë fjalës së saj në komisionin e Ekonomisë, sqaroi se tenderi për portin e ri në Porto Romano “nuk ka vdekur”.
Pyetur nga deputetët demokratë për anulimin e tenderit 390 mln euro, Balluku tha se do të rihapet një tjetër tenderim, pasi projekti është kompleks dhe mund të ketë disa raunde.
“Është vepër infrastrukturore si në asnjë vend tjetër në Europë. Është procedurë e komplikuar. Kishim 4 kompani të interesuara, 3 prej të cilave entitete të njohura europiane. Duhen përmbushur të gjitha kushtet dhe ishte raundi i parë. Do të ketë raunde të tjera dhe të tjerë të interesuar. Ne po e menaxhojmë me kompaninë holandeze ‘Royal Haskoning’. As nuk ka vdekur dhe as nuk do të vdesë”, tha ministrja e Infrastrukturës, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2025 para deputetëve.
Ajo shtoi se në shpenzimet e 2025-s është përfshirë edhe porti i ri i integruar në Vlorë.
Duke kaluar në projektet rrugore, Balluku tha se në 2025-n parashikohet të përfshihen në buxhet dhe Bypass-i i Elbasanit, Bypass-i i Tiranës, Bypass-i i Sarandës dhe vazhdimi i financimeve për Unazën e Madhe të kryeqytetit.
“Projektet e reja që përfshihen në këtë projekt buxhet janë 2 projekte shumë të rëndësishme: Bypass-i Elbasanit dhe bypassi i Tiranës. Bypass-et kanë qenë gjithmonë të financuar me kredi dhe grante të BE-së. Në rastin e bypass-it të Elbasanit, duke qenë se e kemi pasur nën një kontratë me Cooperazione Italiana, e cila ka marrë shumë kohë pa dhënë asnjë rezultat. Nga ana tjetër është një shfaqje e përjavshme, jemi dëshmitarë të trafikut që shënohet pasditet e të premteve, në fund të autostradës Tiranë – Elbasan dhe të dielave në drejtimin Elbasan – Tiranë. Është domosdoshëmri të ecet sa më shpejt me këtë projekt, duke i dhënë mundësi që trafiku prej lindjes të mos hyjë më brenda Elbasanit. Po ashtu, është një projekt në afërsi të MotoParkut. Aplikimi për Bypass-in e Tiranës është bërë shumë kohë më parë, që në 2016 dhe sigurisht ka kaluar disa faza nga ngjizja e projekti, në maturimin e tij. Por, jemi duke folur për një periudhë 8-vjeçare dhe duhet pasur parasysh që projektet humbin relevancën gjatë viteve që kalojnë sepse vetë ekonomia që dikton zhvillimin e infrastrukturës është zhvilluar në një mënyrë shumë të shpejtë”, tha zv.kryeministrja Balluku.
Ajo u ndal edhe tek projektet hekurudhore që parashikohet të marrin jetë gjatë 2025-s.
“Rehabilitimi i linjës Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës së re Kthesa e Kasharit - Rinasit është projekti kryesor. Aplikimi i parë është bërë për 34 km nga kthesa e Kamzës në Durrës. Kemi identifikuar nevojën të shtohen 4 km nga Kashari në Bulevardin e ri dhe do të përfshihen në këtë projekt. Hekurudhat e reja do të operojnë me elektricitet. Duke qenë në përafrim të plotë të kërkesave të BE për transportim me ‘zero’ emetime. E gjitha kjo kërkon një flotë të re, të transprotit hekurudhor. Kosto totale e elektrifikimit është vlerësuar 21 mln euro, financimi i këtij projekti do të në vijimësi të këtij projekti, pra do të jetë një paketë e plotë, që do të ndikojë sigurisht edhe një flotë totalisht të re. Kjo bëhet edhe sepse hekurudha shqiptare do të lidhet me hekurudhat rajonale, duke dhënë mundësi për transport direkt”, tha zv/kryeministrja.
Prezantimi i saj në komision u shoqërua me debate, pasi deputeti Edmond Spaho tha se pasi të mbarojë çështja e inceneratorëve, radha do t’i vijë rrugëve, për shkak të abuzimit me kosto të larta. Spaho tha se janë të njëjtat projekte prej vitesh, që buxheti vazhdon të financojë dhe rrugët nuk po mbarojnë akoma.
"Rruga Elbasan-Librazhd, trase autotrade e ndërtuar me zhavorr lumi. Do ta shikoni ku do të përfundojë kjo rruga juaj. Rrugën e Arbrit e inaguruat njëherë, rruga nuk ka mbaruar. Kosto vazhdon të rritet. Korçë-Ersekë ka 12 vjet, që në kohën e Nikos si zv.kryeministër. Edhe rruga Qafë-Plloçë", tha deputeti demokrat në fjalën e tij.
Ministrja Balluku i tha deputetit Spaho se do t’a kallëzojë penalisht pasi deklaratat e tij janë gënjeshtra.
"Unë mendova se isha në komision të Ekonomisë, por mu shfaq komisionin teknik i rrugëve. Unë se njoh zhavorrin. Mondi ka ardhur këtu për thirrje politike dhe po e ndjek shefi i vet. Këto janë gënjeshtra kolosale" , tha Balluku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.