Nga Gazeta ‘Si’- Zv.Kryeministrja Belinda Balluku ka ironizuar fjalimet e opozitës këtë seancë plenare, pasi kjo e fundit akuzon qeverinë për skemën e pensioneve.
Balluku u shpreh se foltorja po përdoret nga deputetët demokratë për retorika boshe që sipas saj i rilexojnë për t’u bërë simpatik me liderin.
Duke sjellë në vëmendje pensionet para dhe pas vitit 2013, ajo akuzoi opozitën se kur ishte në pushtet shiti hotel Dajtin për të gjetur lekët e bonusit të fundvitit për pensionistët.
“Me të vërtetë shpreh keqardhjen se si përdoret foltorja dhe një target grup që ka kontribuuar në këtë vend prek dekadash dhe përdoret për narrativë politike. Ju i keni pasur të gjitha në dorën tuaj për të ndryshuar skemën e pensioneve. Krahasoni dy mësues. Një që ka dalë në pension në vitin 2013 kur mbretëronit ju dhe mirëqenia juaj dhe një që ka dalë në pension pas reformës që bëri PS në 2014, dhe kjo i thotë të gjitha. Ajo që i thotë të gjitha është vota e pensionistëve për PS.
Nëse ne i mbajmë premtimet tona, kjo duket nga mbështetja që kemi, nëse bëjmë gjithçka që themi, kjo duket nga votat që marrim. Nëse ju jeni tallur me pensionistët ndër vite dhe vazhdoni ta bëni edhe tani, ky është akti më i çuditshëm politik që mund të bëjë një forcë. Ne jemi PS që kemi bërë reformat shtetformuese, duke nisur nga ajo e pensioneve.
Ne jemi ata që bëmë gjithçka në këtë vit për të vendosur një fond të qenësishëm mbi 100 milionë euro për të mbuluar këtë bonus, që nuk është bonus që ju e jepnit dhe shisnit Hotel Dajtin. A e mbani mend se si e jepnit ju bonusin e gjelit të detit? Ju keni shitur Hotel Dajtin që të nxirrnit lekët e bonusit të gjelit të detit. Kështu që kur të dilni këtu edhe të flisni, nuk mund të flisni sikur të jeni një forcë e re, shpresa e ardhmes, sikur ka zbritur në tokë i dërguari për të rregulluar problemet e këtij vendi. Erdhi Rama dhe PS dhe e bëri këtë. Ju jeni ata që shisnit hotele për të paguar bonusin, ne jemi ata që kemi vendosur 100 milionë nga buxheti i shtetit”, tha Balluku.
Ajo premtoi gjithashtu se çmimi i energjisë elektrike do të ulet dhe sërish akuzoi opozitën se kur ishte në pushtet, Tirana ishte në errësirë.
“Çmimi i energjisë, as nuk është rritur, as nuk do të rritet madje do të ulet. Dikur njerëzit nuk kishin energji dhe e paguanin, ndërkohë që sot ka energji në cdo cep të Shqipërisë edhe kur ka kushte të këqija të motit, mundohemi ta zgjidhim në disa minuta dhe qytetarët paguajnë atë që konsumojnë”, deklaroi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.