Ekonomi

Balluku: Furnizim të pandërprerë me energji natën e ndërrimit të viteve

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me administratorët e OST dhe OSSH komunikoi sot planin e masave për menaxhimin e situatës energjetike në këto ditë festive.

Balluku theksoi gatishmërinë për ditën e sotme, ndërsa u shpreh se prodhimi duhet të jetë maksimal për shkak të kërkesës që parashikohet të arrijë në 25-26 mijë megavatorë për ditën e sotme.

“Ne kemi arritur që javës së fundit të prodhojmë edhe 29 mijë megavatorë në kaskadën e Drinit duke thyer një rekord”, tha ajo.

Balluku theksoi se “synimi është të shkojmë në zero difekte, megjithatë jemi të përgatitur edhe për të papritura pasi ngarkesa e rrjetit arrin kapacitete maksimale”.

“Por sigurisht i rëndësishëm është reagimi në kohë i skuadrave të terrenit që duhet të zgjidhin në kohë çdo problem. Sot është dita e testit. Sot vihen në provë pajisjet, teknologjia dhe skuadrat e gatshme që ndodhen në terren. Testojmë kapacitetet teknike dhe ato njerëzore”, tha Balluku.

Ajo theksoi se pavarësisht se ka qenë një vit në krizë energjetike të jashtëzakonshme, qeveria shqiptare ka injektuar në sektorin energjetik rreth 240 milionë për të blerë energji dhe për të mos prekur familjarët, duke rritur çmimet sërish.

“Një sërë investimesh janë bërë për të përmirësuar rrjetin e shpërndarjes. Gjatë këtij viti duke u mundur më shumë me punë se me investime, kemi ulur humbjet teknike me 1%, nga 20.7% në 2021 ky vit do të mbyllet me 19.7% humbje teknike me synimin tonë kryesor të arrijmë në 16% të këtyre humbjeve teknike”, tha ajo.

Balluku u shpreh optimiste që viti 2023 të jetë një vit më i mbarë për energjinë se sa 2022.

“Faktet tregojnë që do të jetë disi më i mbarë duke qenë se ne futemi me një rezervë energjetike 1200 gigavat, ndërkohë që vitin e kaluar jemi futur me një rezervë energjetike vetëm 800 gigavat në muajin janar. Kështu që shpresojmë që të fillojnë edhe reshjet mbas datës 8 janar dhe kaskada e Drinit të ruajë nivelet e saj në 292 metër në liqenin e Fierzës duke krijuar një rezervë energjetike konstante”, tha Balluku.

Nga ana tjetër, ajo theksoi se qytetarët janë përgjigjur për sa i përket eficencës energjetike.

“Kemi vendosur një target 15% për të gjitha institucionet dhe administrata e ka ulur mesatarisht me 20% konsumin. Edhe qytetarët kanë bërë reagim shumë të mirë. Ky ka qenë çelësi i suksesit gjatë periudhës tonë të vështirë. Sot kemi prodhim rekord në kaskadën e Drinit. Ky prodhim përdoret për të plotësuar të gjithë nevojat e kërkesës për energji në vend. Gjithashtu kemi depozituar në KEK Kosova, në një marrëdhënie që ne shkëmbejmë energji dhe kemi eksportuar me çmime optimale të tregut, duke krijuar një optimizim financiar për KESH”, tha ajo. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë