Futboll

Ballkani shkon në ‘Play-off’, vetëm një pengesë e ndan nga grupet e Ligës së Konferencës

Gazeta Si – Ballkani kryen detyrën, fiton 1-3 ndeshjen e dytë ndaj Linkoln Red dhe kualifikohet për në fazën e ‘Play-off’-it të Ligës së Konferencës me rezultatin e përgjithshëm 5-1. Tashmë ka vetëm një pengesë, që ndan kampionët e Kosovës nga pjesëmarrja e dytë radhazi në grupet e këtij kompeticioni.

Ballkani feston fitoren ndaj Linkoln Red dhe kalimin ne Play-off. Gazeta Si, 17 gusht 2023

Korenica dhe kapiteni Kuç shënuan golat e fitores në ndeshjen e sotme në Gjibraltar. Më pas vendësit shkurtuan rezultatin në 1-2 dhe në kohën shtesë Zyba ‘vulosi’ fitoren e suharekasve me golin e 3-të. Skuadra e trajnerit Ilir Daja e menaxhoi mirë lojën dhe nuk e vuri në asnjë moment në diskutim kualifikimin.

Tani vjen edhe pjesa më e rëndësishme dhe më e vështirë për Ballkanin, që do të ndeshet në ‘Play-off’ me humbësin e çiftit Sherif Tiraspol-Bate Borisov. Kosovarët kanë shanse reale për të shkruar sërish historinë, edhe pse kanë shitur sulmuesin kryesor Albion Rrahmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë