Gazeta Si – Ballkani po shkruan historinë në Kosovë dhe në Europë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja u shpall kampione e Kosovës për herë të parë në historinë e saj, por befasinë më të madhe e arriti me kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Jo vetëm kaq, por Ballkani po bën një paraqitje mbresëlënëse edhe këtë kompeticion, që kulmoi me fitoren 3-4 në Turqi ndaj Sivasporit. Për të gjitha këto suksese, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka rezervuar një pritje të veçantë skuadrës nga Suhareka.

Osmani theksoi në takim se ‘sportistët prej shumë kohësh janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Sukseset e Ballkanit e bëjnë krenar shtetin dhe qytetarët e Kosovës’.
Gjatë takimit presidentja Osmani u shpreh gjithashtu se institucionet e Kosovës do ta mbështesin sportin në të gjitha aspektet. Klubi i Ballkanit i dhuroi presidentes një fanellë me emrin e saj dhe një top futbolli.
Të enjten Ballkani do të luajë sërish në Ligën e Konferencës dhe sërish me turqit e Sivasporit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




