Analize

Ballkani nën ethe dhe tension / ‘Bota serbe’ e sherrit të vjetër dhe projekti ‘Jugosllavia e Re’

Nga Gazeta ‘Si’- Që prej momentit kur “Bota Serbe” u përmend për herë të parë si koncept shtatorin e katër viteve të shkuara, liderët e Ballkanit Perëndimor e konsideruan atë një eufemizëm për politikën e ‘Serbisë së Madhe’.

Aleksandër Vulin, atëbotë ministër i Mbrojtjes i Serbisë, sot i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte i pari që trumbetoi idenë se presidenti serb Aleksander Vuçiç duhet t’i mbledhë të gjithë serbët rreth vetes.

“Presidenti i Serbisë është presidenti i të gjithë serbëve”, deklaroi më 26 shtator të vitit 2020 ai në vijim të argumentit të tij.

Për t’i dhënë kreshendo nacionalizmit, Vulin, pohoi edhe se “po qe nevoja, do t’i mbrojmë edhe ushtarakisht”.

Vulin ishte ndër të parët që trumbetoi idenë e "Botës Serbe"

Pavarësisht se saora Vuçiç reagoi duke thënë se Beogradi nuk merret me kufijtë e të tjerëve, takimet e shpeshta dhe deklaratat e mëvonshme të tij me Kryetarin e entitetit të Republikës Srpska në BeH, Milorad Dodik vërtetuan të kundërtën.

Dy liderët që kanë trazuar Ballkanin, Vuçiç dhe Dodik, herë veçmas e herë bashkë kanë paralajmëruar zhvillime të rëndësishme në datat 5-6 maj, në “Asamblenë e Madhe të Pashkëve”, ku sipas ekspertëve dhe njohësve të çështjeve ndërkombëtare, pritet të shpallet zyrtarisht “Bota Serbe”, ose siç njihet ndryshe, “Jugosllavia e re”.

Si do i thellonte ndarjet në Bosnje-Hercegovinë “Bota Serbe” dhe ndikimi në Mal të Zi

Me ta dëgjuar këtë term padyshim që e para gjë që të ndërmendet janë aspiratat e politikës zyrtare serbe që pati rol kyç në shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë në fillim të viteve 1990.

“Bota serbe” nënkupton bashkimin e Serbisë, Republikës Srpska dhe Malit të Zi.

Ndonëse Beogradi ka thënë se nuk ka aspirata territoriale ndaj fqinjëve dhe e ka justifikuar këtë me kujdes ndaj qytetarëve me kombësi serbe në shtetet që kanë dalë nga rënia e Jugosllavisë, analistë të shumtë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë e kanë parë në fakt atë si një vazhdim të projektit të ‘Serbisë së madhe’ të Sllobodan Millosheviçit.

Ajo që ka ndryshuar duket se është vetëm gjuha, pasi qëllimi ka mbetur i njëjtë. Sipas tyre, ideja themelore është që përderisa ‘’Serbia e madhe’’ mbetet një ëndërr, “Bota serbe” mund ta zëvëndësojë atë.

Me anë të “botës serbe” Vuçiç synon të fitojë sa më shumë ndikim mbi fqinjët që të jetë e mundur. 

Serbët përbëjnë 37% të popullsisë së Bosnjës, shumica e tyre në RS. Shumë nga udhëheqësit e tyre politikë, duke përfshirë edhe aktualin Dodik, që nga lufta e viteve 1992-1995 kanë premtuar se do të ndahen, de facto ose de jure, nga 51% e territorit tjetër.

“Deklarata e Vullinit është një shkelje flagrante e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, destabilizim i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe një kërcënim për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës, të cilët u mbrojtën nga agresioni dhe gjenocidi 26 vjet më par”,  tha Bisera Turkoviç, ish-ministrja e jashtme e Bosnjes duke i vlerësuar deklaratat e Vullinit si hegjemoniste.

Nga ana tjetër, që prej promovimit të këtij koncepti, Mali i Zi ka qenë gjithashtu i trazuar.

I pari që e vlerësoi “botën serbe” si një kërcënim të qartë ishte Millo Gjukanoviç, ish presidenti i Malit të Zi.

Gjukanoviç ishte i pari që e shikonte si kërcënim "botën serbe"

“Qëndrimi i Serbisë ndaj Malit të Zi në këtë kohë është i ngjashëm me qëndrimin e Serbisë ndaj vendeve fqinje gjatë viteve 1990.  Përmes maskës se duhet kujdesur për të drejtat, të supozuara se janë të rrezikuara, të popullit serb në shtete fqinje, sovraniteti i këtyre vendeve është në thelb i rrezikuar. Kjo ndodhi në vitet 1990 dhe të gjithë e dimë epilogun”, deklaroi asokohe Gjukanoviç.

Nga ana tjetër, në Mal të Zi, koncepti “Bota serbe” u mbështete nga partia Fronti Demokratik (DF).

“Serbëve përtej kufirit u pëlqen ideja e ‘Botës serbe’, dhe ne tashmë jemi duke punuar në realizimin e saj”, tha një nga drejtuesit e Fontit Demokratik, Andrija Mandiç dhe kryetar i Kuvendit të Malit të Zi sot.

Çfarë duhet bërë me Kosovën sipas Daniel Serwerit?

Për Kosovën, deklaratat e Vulinit janë vazhdim i diskursit nacionalist të kohës të regjimit gjenocidal të Milosheviçit.

“Fatkeqësisht, presidenti i Serbisë nuk distancohet as nga Vulini, as nga Ivica Daçiç as nga Slobodan Milosheviç e nga kushdo qoftë që ka qenë në pushtet gjatë viteve të 90-ta. Kjo është vërtetë për keqardhje. Fakti që kemi dhjetë vjet dialog në Bruksel, pa një marrëveshje përfundimtare, është për shkak se ekziston kjo rezistenca problematike për t’u ballafaquar me të kaluarën”, ka deklaruar më herët Kurti.

Por Daniel Serwer, njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, teksa ka publikuar një artikull “si t’i kundërvihemi botës serbe”, thotë se në kundërshtim të kësaj kërkohet një manovër e vështirë nga Prishtina. Ajo duhet t’i bindë serbët e veriut se ata do të jenë më mirë si qytetarë të Kosovës (edhe nëse e mbajnë edhe shtetësinë serbe).

Daniel Serwer,njohësi amerikan i çështjeve të Ballkanit

“Disa po lëvizin në atë drejtim, siç sugjerohet nga gatishmëria e tyre e shtuar për të marrë targa, letërnjoftime, dhe pasaporta të Kosovës. Por shumë nga serbët në veri kanë qenë ndër kundërshtarët më luftarak dhe ndonjëherë të dhunshëm të Prishtinës. Beogradi ia ka dalë që ta bëjë kontaktin me serbët e veriut shumë më të vështirë sesa komunikimin me serbët në komunat që nuk janë ngjitur me Serbinë”, tha Serwer i cili sugjeroi se autoritetet e Prishtinës duhet të jenë më të kujdesshme se sa kanë qenë në të kaluarën për të shfaqur flamurin etnikisht neutral të vendit, në vend të flamurit etnik shqiptar (gjithashtu flamurin e Shqipërisë) që shumë prej tyre preferojnë.

“Zbatimi i shumë marrëveshjeve për ndarjen e pushtetit në kushtetutë nuk është i lehtë, por ende i nevojshëm. Kështu është edhe mbështetja financiare për komunitetet serbe dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për manastirin e Deçanit, të cilin Prishtina e ka refuzuar deri më tani”, përfundon ai.

Ndërsa na ndajnë rreth një muaj nga zhvillimet që Vuçiç ka paralajmëruar dhe rajoni është përfshirë nga “ethet”, Dodik nuk lë shumë vend për hamendësime.

“Lamtumirë Bosnje, bëhuni gati për Republika Srpska exit”, shkroi ai në gjuhën angleze pas një takimi me Vuçiç, në një mesazh drejtuar ndërkombëtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë