Ndikimi rus dhe dezinformimi në media janë një temë e ditës kur flasim për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit dhe median.
Por sa i ndjeshëm është ndikimi rus dhe sa e vërtetë është kjo narrativë kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor?!
“Dezinformimi është çështje e ditës dhe një problem i prekshëm në Ballkanin Perëndimor. Narrativat false dhe çorientuese që qarkullojnë në këtë cep të globit prej kohësh i janë atribuar Rusisë, por e vërteta është më e komplikuar. Rusia krijon dhe shpërndan dezinformata në Ballkanin Perëndimor. Sidoqoftë, udhëheqësit e brendshëm politikë dhe institucionet lokale kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin e problemit.”
Kështu shprehen Megan Duffy dhe Samuel Green, të cilët kanë bërë një raportim të thellë për lidhur me ndikimin rus dhe dezinformimin në Ballkanin Perëndimor.
Megan Duffy, një nga autorët e këtij studimi, e diplomuar në Çështje Ndërkombëtare dhe në Frëngjisht nga Universiteti i Ëisconsin-Madison (është duke ndjekur një MA në Shkollën Fletcher të Drejtësisë dhe Diplomacisë) e njeh mirë situatën në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipëri. Ajo ka shërbyer si vullnetare e Korpusit të Paqes në Shqipëri dhe ka punuar për qeveri të ndryshme dhe organizata joqeveritare në Bruksel, Sarajevë, Tiranë dhe Uashington, D.C, ku është përqendruar në çështje të sundimit të ligjit, arsimit dhe zhvillimit.
Jo rastësisht, në raportin e përpiluar prej tyre të emërtuar “Kaosi i Organizuar: Influenca ruse dhe gjendja e dezinformimit në Ballkanin Perëndimor”, të publikuar në një edicion special të qendrës “Edëard R. Murroë” i kushtohet një hapësirë e veçantë Shqipërisë, por dhe çështjes shqiptare në Kosovë.
Ndërsa flet për realitetin e situatës në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipëri, prezantimi i raportit nis me fjalinë: “NATO është e gatshme të shohë gjak në rrugët e Maqedonisë për projektin e Shqipërisë së Madhe”.
Nëse lexoni tituj si ky, do të supozohej se Ballkani Perëndimor është i zhytur në dhunë, por Duffy shpjegon se tituj të tillë janë larg përshkrimit të saktë të realitetit për publikun ballkanik.

Sipas Duffy dhe kolegut të saj, ky titull bombastik dhe përçarës, botuar nga “Sputnik” është një lajm i kontrolluar nga agjencia shtetërore ruse, e cila është përgjegjëse për shumë lajme dhe rrëfime të rrema, që qarkullojnë në këtë hapësirë.
Sipas tyre, ky lloj dezinformimi sensacional, i cili luan me problemet ekzistuese, shkakton jo pak herë kaos, ndërkohë që ankesat dhe ndarjet shoqërore, për fat të keq janë bërë rutinë dhe sjellin përçarje dhe ngadalësojnë progresin demokratik të rajonit.
Autorët theksojnë se Rusia krijon dhe shpërndan dezinformata në Ballkanin Perëndimor, por, sidoqoftë, udhëheqësit politikë të brendshëm dhe institucionet lokale kontribuojnë në këtë problem në mënyrë të konsiderueshme, pavarësisht se roli i tyre shpesh minimizohet ose neglizhohet.
Në raport theksohet se “Politikanët në të gjithë gadishullin Ballkanik i emërtojnë zërat kritikë si vektorë të dezinformimi, pavarësisht se shumë prej këtyre zërave ofrojnë vlera të ekuilibruara dhe faktike të raportimit”.
“Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama përdori një kompani private telekomunikacioni, Vodafone, për të lënë mesazhe zanore paralajmëruese për të dhënë mesazhin: Shqiptarët të lajnë duart dhe ‘të mbrohen nga media’ dhe lajmet e rreme që përhapin.”,- vërejnë Duffy dhe Green.
COVID-19: Një krizë shëndetësore dhe dezinformuese
Përmes raportit vërehet edhe një fakt tjetër: atë që kriza aktuale e shëndetit COVID-19 është shndërruar gjithashtu në krizë dezinformimi.

“Në Ballkanin Perëndimor, aktorët lokalë shpesh kanë amplifikuar teoritë e rrezikshme të konspiracionit për të minimizuar ashpërsinë e virusit, ndërsa zyrtarë të ndryshëm qeveritarë kanë bërë deklarata absurde dhe të dëmshme”, thonë ata, ndërsa marrin si shembull Serbinë, ku Nestorović, një anëtar i ekipit të reagimit ndaj emergjencave të qeverisë serbe, deklaroi se “serbët kanë gjene superiore që do t’i mbrojnë nga virusi dhe se gratë mbrohen nga infeksioni nga hormonet e tyre”.
Sipas tyre, pavarësisht kësaj, dezinformimi është i vështirë për t’u adresuar në Ballkanin Perëndimor për shkak të ekosistemeve komplekse mediatike, trashëgimisë së luftërave të fundit dhe marrëdhënieve të acaruara midis grupeve të ndryshme të rajonit.
“Hapësira e informacionit në Ballkan është një përzierje e mediave kryesore në pronësi të qeverisë ose të lidhura me to, kornizave ligjore të pazhvilluara për platformat online, për shkak të një shpërthimi të burimeve të reja të medias dhe rënies së gazetave lokale. Për më tepër, vendet po përjetojnë hapësira të pakësuara për debat publik me qytetarë dhe gazetarë të sulmuar kur marrin në pyetje ose kritikojnë qeverinë.”
Nënvizohet se qytetarët e Ballkanit konsumojnë lajme kryesisht përmes televizionit dhe kanalet kryesore shpesh kontrollohen nga partitë në pushtet, të cilat shpesh përhapin rrëfime të rreme ose të motivuara politikisht.
“Ata madje po përdorin “kërcënimin e dezinformimit” për të etiketuar gazetarët e pavarur dhe partitë e opozitës si vektorë dezinformimi. Midis brezave të rinj, përdorimi i mediave sociale dhe portalit në internet po rritet dhe kjo krijon problemet e veta, pasi burimet e informacionit janë më të errëta dhe historitë mund të shpërndahen shpejt dhe gjerësisht.”
Pandemia, sipas raportit ka përkeqësuar problemet ekonomike, çarjet politike dhe mangësitë institucionale në Ballkanin Perëndimor, por COVID-19 gjithashtu përkeqësoi çështjet e dezinformimit, duke përfshirë udhëheqësit lokalë që përfitojnë nga kriza shëndetësore publike, për të minuar lirinë e shtypit, që edhe para kësaj situate kishte probleme me lirinë.
COVID-19 rriti tensionet etnike
Në raport merret si shembull kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili në qershor 2020 njoftoi për hapjen e kufijve. Kjo deklaratë u përkthye gabimisht nga media maqedonase, e cila deklaroi se kufijtë do të ishin të hapur vetëm për shqiptarët etnikë.
“Pavarësisht nëse është e qëllimshme ose jo, partia opozitare VMRO-DPMNE e kapi narrativën si diskriminim etnik ndaj maqedonasve sllavë, për të ndezur zemërimin e ngarkuar etnikisht kundër qeverisë. Në një vend me tensione të theksuara etnike, historia që përmban citimin e gabuar u bë virale. Një javë më vonë, incidenti frymëzoi një artikull vijues, të përhapur nga e djathta në faqet e internetit të lidhura në Maqedoninë e Veriut. Ky artikull pretendonte në mënyrë të gabuar se Greqia po mbyllte kufirin për qytetarët maqedonas nga komunat që kanë popullsi të konsiderueshme myslimane (e përdorur për t’iu referuar shqiptarëve ose romëve). Dezinformimi nënkuptonte se komunitetet shqiptare ishin fajtore për përhapjen e dezinformimit në lidhje me COVID-19.”
Krahas kësaj, një sasi shqetësuese informacioni i rremë në lidhje me virusin COVID-19 ka qarkulluar në rajon lidhur me teoritë e konspiracionit, që fajësojnë teknologjinë 5G për COVID-19.
“Këto lajme të rrema janë përhapur në mënyrë të shfrenuar në mediat sociale dhe portalet e lajmeve në internet.”, vijohet më tej.
Në raport theksohet se Ballkani Perëndimor nuk është një bllok dhe secili komb ka kompleksitetin e vet dhe tiparet dalluese të hapësirës së informacionit.
Megjithatë vërehet që qeveritë lokale dhe organizatat e medias në këtë hapësirë mund të marrin disa masa të përbashkëta, për të ndihmuar në ngadalësimin e përhapjes së dezinformimit dhe mbrojtjen dhe forcimin e lirisë së shtypit.
Për këtë qëllim ata rekomandojnë programe afatgjata të shkrim-leximit të mediave, mbajtjen e përgjegjësisë nga kompanitë e mediave sociale dhe mbështetjen e gazetarisë së pavarur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




