Politike

Ballkani mbetet prioritet, Austria: Boll negociata me Turqinë

Kur Austria mori stafetën e Presidencës së Bashkimit Europian nga Bullgaria në fillim të këtij muaji, trashëgoi nga Sofja një dosje voluminoze sa i përket anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, megjithëse progresi i bërë ishte modest.

Përpjekjet bullgare për të vendosur në qendër të vëmendjes gjashtë vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë dhe rrugën e tyre integruese kulmuan me një samit të zhvilluar në Sofje, samit që në fund prodhoi një deklaratë të përbashkët, që si gjithmonë në vitet e fundit, fliste për zotime, por jo për hapa konkretë.

Nga ana tjetër, vetë përbërja e qeverisë austriake, që në koalicion ka edhe ekstremistët e djathtë sugjeron që prioritet i Vjenës do të jetë emigracioni i paligjshëm dhe mbyllja e shtigjeve për refugjatët, duke lënë në plan dytësor Ballkanin Perëndimor.

Por, Kancelari austriak, Sebastian Kurz riktheu besimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë një interviste dhënë së fundmi për gazetën greke, “Kathimerini”. Ai thotë se për Austrinë anëtarësimi i tyre mbetet një prioritet.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet një prioritet kryesor i politikës sonë të jashtme dhe Presidencës së Bashkimit Europian. Mbështes rrugën e ndjekur nga Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn për një proces të ndershëm dhe të merituar në bazë të arritjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor sa u takon standardeve në fushën e sigurisë, politikës, shtetit ligjor dhe ekonomisë”, deklaroi Kurz.

Kancelari austriak u pyet nga gazetarët grekë në lidhje me negociatat e anëtarësimit me Turqinë dhe këtu është i qartë e i prerë në ato që thotë.

“Bashkimi Europian duhet të ndërpresë negociatat e anëtarësimit me Turqinë. Turqia ka bërë hapa pas dhe është larguar nga vlerat europiane vitet e fundit”, u shpreh ai.

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn

Ndërkohë, në Bruksel Johannes Hahn komentoi përplasjen mes Kroacisë dhe Malit të Zi mbi Boka Navy-n, një zonë e trashëgimisë kulturore, që ndodhet në territorin malazez, por që Zagreb e konsideron trashëgimi të veten kulturore.

Komisioni Europian e ka përcaktuar se sipas legjislacionit dhe rregullave ndërkombëtare, mbrojtja e një zone të trashëgimisë kulturore i takon vendit në territorin e të cilit ndodhet kjo trashëgimi, në këtë rast Malit të Zi.

Nisur nga kjo, Johannes Hahn kërkoi nga Kroacia që të mos bllokojë negociatat e anëtarësimit të Podgoricës me këtë argument. Nga kjo përplasje, sipas agjencisë serbe të lajmeve, Tanjug, Komisioneri Johannes Hahn ka ndërmarrë nismën për t’u kërkuar vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor që të zotohen se nesër kur të jenë në BE nuk do të bllokojnë integrimin e fqinjëve me pretendimet territoriale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë