Gazeta Si – Kampionët e Kosovës luajnë sot në mbrëmje (ora 18:45) në ‘Air Albania’ ndeshjen e parafundit në grup në Ligën e Konferencës. Për shkak të probleme që ka aktualisht stadiumi ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, ata do të luajnë në Tiranë, ku do të ndihen si në shtëpinë e tyre. Përballë janë kryesuesit e grupit, çekët e Viktoria Plzen.

Trajneri Ilir Daja dy ditët e fundit e ka stërvitur skuadrën në kryeqytet, fillimisht në kompleksin e Dinamo City në Arbanë dhe të mërkurën në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’. Te Ballkani shpresojnë që edhe me ndihmën e tifozëve shqiptarë të marrin një fitore për të synuar kualifikimin në fazën tjetër.
Ballkani ka 4 pikë, aq sa Astana e vendit të dytë, që sot ndeshet me Dinamon e Zagrebit në ndeshjen tjetër të grupit. Plzen e ka siguruar kualifikimin, pasi ka marrë pikë të plota dhe sot nuk ka pse të sforcohet në ‘Air Albania’.
Daja dhe të tijtë gjithsesi janë përgatitur për një ndeshje të fortë dhe do të përpiqen me të gjitha mundësitë që të marrin fitoren e dytë në grup.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.