Gazeta Si – Ballkani, i drejtuar nga trajneri i suksesshëm shqiptar Ilir Daja, vazhdon të shkruajë historinë në Kosovë. Pas fitores së sotme 2-0 ndaj Ferizajt, kjo skuadër është shpallur kampion e Kosovës për herë të dytë radhazi.
Një tjetër trofe i rëndësishëm, pjesë e një cikli fitues që Ballkani ka nisur që sezonin e kaluar dhe që e pasuroi me kualifikimin deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ku gjithashtu bëri një paraqitje dinjitoze. Arritja më e madhe kjo për një skuadër kosovare.

Këtë herë titulli ishte mjaft i vështirë në Kosovë. Ballkani ka rivalizuar fort me Dritën, që sot u mund nga Malisheva 0-1. Pikërisht duke përfituar nga kjo humbje e rivalëve, skuadra e Dajës arriti të sigurojë matematikisht titullin kampion një javë para fundit të kampionatit.
Te Ballkani, përveç trajnerit Ilir Daja, luajnë edhe disa lojtarë të njohur të futbolit shqiptar, si portieri Stivi Frashëri, mbrojtësit Lorenc Trashi dhe Rustem Hoxha, si dhe sulmuesi Nazmi Gripshi. Për Dajën është titulli i dytë në Kosovë, pas atyre që ka fituar në Shqipëri me Dinamon, Elbasanin dhe Skënderbeun.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




