Politike

Rama fton në “Ballkanin e Hapur” edhe Italinë, Greqinë dhe Bullgarinë

Ballkani i Hapur mbylli punimet e samitit të radhës të mbajtur në Tiranë me nënshkrimin e pesë marrëveshjeve, caktimin e takimit të radhës dhe objektivat e vendosur të paktën për gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Takimi i radhës është vendosur që të mbahet në Shkup në muajin shkurt, ku për herë të parë Maqedonia e Veriut nuk do të përfaqësohet nga Zoran Zaev, që ditën e mërkurë pritet që të japë dorëheqjen.

Pas Shkupit, Aleksandër Vuçiç zbuloi planin për samitin e radhës në qershor në Serbi. Detajet mbi agjendën e këtij samiti në Serbi dhe temat që do të diskutohen është ende shumë shpejt për të folur. Megjithatë, një objektiv të mundshëm të këtij samiti e shqiptoi Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë tha se tre vendet e Ballkanit të Hapur do të ftojnë në këtë samit edhe vendet e BE që kufizojnë me hapësirën e kësaj nisme, me përjashtim të Kroacisë. Ftesë për të marrë pjesë në samit do t’i dërgohet Italisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Rama zbuloi se qëllimi i kësaj ftese do të jetë lehtësimi i pengesave që eksportuesit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kanë me BE.

“Duam të ftojmë Greqinë, Bullgarinë dhe Italinë në samitin e ardhshëm, sepse kemi kuptuar që nuk mjafton për prodhuesit dhe eksportuesit tanë që të kenë tregti të lirë brenda për brenda Ballkanit të Hapur si ata në BE, por kanë nevojë që të kenë më pak pengesa kur mbërrijnë në BE. Do të komunikojmë me vendet e BE dhe të përpiqemi që të lehtësojmë pengesat për qytetarët tanë kur hyjnë në BE”, u shpreh Rama.

Kryeministri nënkuptoi se Ballkani i Hapur do të shërbejë edhe si mekanizëm që zëri i vendeve të rajonit të dëgjohët më fort në Bruksel për çështje e vendime politike që i takojnë integrimit.

“Ballkani i Hapur ndihmon vendet tona në aspektin ekonomik, por ndihmon edhe në mënyrën se si mbërrijmë ne BE. Është tjetër gjë të thuash standardet e BE dhe tjetër gjë të thuash a do t’i nisim konferencën ndërqeveritare”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë