Duke iu referuar punimeve të Samitit të Ohrit për “Ballkanin e Hapur”, Partia Demokratike ka dalë me disa konkluzione të vetat.
“PD dënon me termat më të ashpër deklaratat e Kryeministrit Edi Rama të realizuara gjatë konferencës të zhvilluar sot në Ohër si pjesë e nismës së ‘Ballkanit të Hapur’.
Duke mos njohur dhe banalizuar me tallje e nënqeshje, gjenocidin dhe masakrat ndaj qindra e mijëra boshnjakëve, kroatëve, malazezëve e vëllezërve tanë në Kosovë, viktima të spastrimit etnik serb, Edi Rama dëshmon një mungesë respekti jashtë çdo imagjinate ndaj të shkuarës tragjike të Ballkanit.
Mohimi i genocidit dënohet me ligj ndërkombëtar.
Edi Rama, me këto deklarata imorale i bashkohet dyshes Vuçiç-Dodik dhe bëhet pjesë me dashje, të asaj çka është një tentative rishkruarje të historisë me qëllimin e vetëm për të lehtësuar pozicionin e Serbisë në kontekstin e projektit serbo-rus të Ballkanit të Hapur”, tha përmes një konference për shtyp Floriana Garo.
Sipas saj, “refuzimi i dyfishtë i Edi Ramës për të votuar në Parlamentin Shqiptar dy rezoluta që dënojnë gjenocidin në Bosnje dhe atë në Kosovë, është prova e dy-fishtë se Edi Rama po i shërben një projekti serbo-rus”
“Deklarata e Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov sipas së cilës, ‘Ballkani i Hapur’ është një projekt që gëzon mbështetjen e plotë të Rusisë, duhet të jetë një këmbanë alarmi për çdo shqiptar dhe Ballkanas mbi rreziqet dhe agjendën e vërtetë të kësaj nisme.
I njëjti rrezik vjen dhe nga pjesëmarrja e pajustifikuar dhe rolin e errët në këtë Samit të djalit të George Soros. Askush nuk e di se me cilin status është prezent në të njëjtën tavolinë me kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.