Futboll

Ballkani i Dajës, 10 gola në 2 ndeshje për kalimin në turin e 3-të

Gazeta Si – Ballkani i Ilir Dajës ka bërë detyrën në Ligën e Konferencës. Me 10 gola të shënuar në total në dy ndeshjet ndaj La Fioritës së San Marinos dhe asnjë të pësuar, kampionët e Kosovës kanë kaluar në raundin e tretë.

Pas fitores 0-4 në ndeshjen e parë, Ballkani fitoi edhe në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultatin e thellë, 6-0. Rezultati flet qartë për dominimin e ekipit vendës.

Momenti i mbylljes së ndeshjes në “Fadil Vokrri”. Gazeta Si, 26 korrik 2022

Sulmuesi 21-vjeçar, Albion Rrahmani, shkëlqeu me 3 gola, 2 gola mbajnë firmën e Leonit Abazit, ndërsa goli tjetër u shënua nga Ermal Krasniqi. La Fiorita luajti me një lojtar më pak për më shumë se gjysmë ore.

Në raundin e tretë të Ligës së Konferencës skuadra e trajnerit Daja do të ndeshet me fituesin e çiftit Sutjeska (Maliqi i Zi)-Klaksvik (Ishujt Faroe). Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave ka përfunduar 0-0.

Ballkani u eliminua në Ligën e Kampionëve që në raundin e parë dhe më pas kaloi në Ligën e Konferencës, ku shpreson të ecë sa më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë