Nga Gazeta ‘Si’- Me debat është shoqëruar mbledhja në Komisionin e Mbrojtjes ku ishin të pranishëm për të lexuar kërkesat për buxhetin drejtuesit e Burgjeve, AMP dhe Policisë së Shtetit.
Deputetët e opozitës e përqendruan vëmendjen e tyre tek ngjarjet kriminale.
Deputeti i PD-së, Klevis Balliu kujtoi disa prej këtyre ngjarjeve, si ajo e 11 nëntorit në Rinas, ku agjenti i ndjerë i AMP, Muçi Shaljani ishte në shoqërinë e krahut të djathtë të Emiljano Shullazit, Gilmando Dani.
Edhe ky i fundit mbeti i vrarë në vend gjatë atentatit me autorë ende në arrati dhe të paidentifikuar.
“Rastet e fundit janë alarmante, kemi vazhdimisht përfshirje të efektivëve të AMP-së në grupe e ngjarje kriminale. Sa mbaron rasti me Oltion Bistrin, del një tjetër dhe së fundmi kishim atë të Rinasit. Mjafton dosja ‘Metamorfoza’ për të parë se gjithë hierarkia e Policisë është e inkriminuar. Jo vetëm AMP nuk i heton dhe verifikon, por kërkon edhe buxhetin. Nëse cenohet siguria e vendit dhe Policia e Shtetit, kjo na përket të gjithëve.
Si të mos flasim për aeroportin kur mbikëqyrja e Policisë ishte zero për një orë e gjysmë, e të vijmë këtu e të flasim sikur nuk ka ndodhur asgjë. Këtu duhet mbikëqyrur vetë AMP. Si ka mundësi që në çdo atentat mafioz në Shqipëri, ka në nivele të larta njerëz, një xhajë, një dajë, një nip a mik, në një strukturë të shtetit, siç ishte rasti konkret”, tha ligjvënësi demokrat mes të tjerash.
Balliu kujtoi se siguria është prioritet dhe se AMP çuditërisht nuk kërkonte buxhet për teknologjinë.
“Siguria është prioritet, nuk mund ta shmangim, ndryshe për çfarë t’ua japim paratë. 93% e detyrës e punës suaj e buxhetit është për të qëndruar siç është, për rrogat, po teknologjia ku është? Krimi ka evoluar në teknologji, mjafton vetëm përgjimet e SKY ECC, ku ne prisnim të kapeshin mafiozët nga Policia, e tani doni që t’ju japim buxhet. Çfarë masash keni marrë ju që të mos ndodhë më përfshirja e agjentëve të AMP me krimin”, shtoi ai.
Balliu i kërkoi kolegëve të mos bien preh e lojërave politike.
“Komisioni nuk duhet të bjerë pre e lojërave politike, por të kryhet detyra dhe të shpjegohet për çfarë të jepet buxheti, për ta inkriminuar më shumë këtë institucion. Duhet të ishte paraardhësi i drejtorit të AMP këtu dhe stafi, a jepet garanci që një punonjës i AMP të mos dalë më në grupet kriminale, që të mos rrinë me Shullazin. Cilat janë kriteret e punësimit, që u jepni fuqi e gradave, me çfarë kriteri bëhen”, përfundoi ai.
Ndërkohë, kreu i AMP, Eduart Merkaj, u përgjigj ndaj deputetëve duke thënë se ka nisur hetimi, janë marrë masat, janë bërë kallëzimet e rastit dhe po vijon procesi i vetingut të të gjithë institucionit dhe Policisë, kur ka raste të dyshuara apo të referuara.

“Kemi bërë disa përmirësime dhe janë marrë masat nga institucioni që unë drejtoj për të gjithë punonjësit. Si për kontrollin e efektivëve, por edhe për atë të të ndjerit (Muçi Shaljani). Por jo vetëm kaq, po në bashkëpunim me Prokurorinë, është bërë kallëzim penal për të gjithë punonjësit ku është parë se është shkelur ligjin.
Për pjesën administrative unë kam marrë masa duke pezulluar të gjithë zinxhirin drejtues, por edhe masa disiplinore, me vërejtje administrative. Pra kemi bërë një vetting për atë që ndodh dhe ka ndodhur aty. Ky kontroll i punonjësve ka ndodhur edhe nga vetë unë. Madje që ku kam marrë detyrën kam pasur komunikime me të gjitha agjencitë ligjzbatuese, për shkëmbimin e informacionit dhe forcën e AMP-së dhe pres përgjigjet nga institucionet dhe jemi të qartë se ka dhe afate ligjore për përgjigjet dhe masat, që duhen respektuar. janë marrë masa qoftë me përjashtime, dorëheqje, vërejtje dhe të tjera”, tha Merkaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



