Ngjarje

Balla: TikTok nuk përmbushi detyrimin për moderimin e postimeve në gjuhën shqipe

Nga Gazeta Si – Mbyllja e Tik-Tok në Shqipëri ka sjellë reagime të shumta, që nga vetë kompania e cila ka kërkuar llogari nga qeveria për vendimin.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla thotë se platforma TikTok nuk e përmbushi detyrimin që mori përsipër për moderimin e postimeve në gjuhën shqipe, rritjen e vigjilencës kundër dhunës, kundër shantazheve, kundër gjuhës së urrejtjes online dhe forcimin e kontrollit prindëror mbi postimet e fëmijëve.

“Është fakt se kjo platformë nuk e përmbushi detyrimin që mori përsipër për moderimin e postimeve në gjuhën shqipe, rritjen e vigjilencës kundër dhunës, kundër shantazheve, kundër gjuhës së urrejtjes online dhe forcimin e kontrollit prindëror mbi postimet e fëmijëve”, u shpreh Balla, duke shtuar se ndalimi i TikTok-ut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por “një vendim i duhur që gëzon mbështetjen e një shumice dërrmuese mes komuniteteve të prindërve dhe shoqërinë shqiptare”, nënvizoi Balla.

Në shkurt të këtij viti, atëherë Ministër i Brendshëm, Taulant Balla priti në një takim Drejtorin e TikTok për Politikat Publike dhe Marrëdhëniet me Qeverinë për Evropën Qendrore dhe Lindore, Jakub Olek.

“Drejtuesi i TikTok më informoi mbi masat që është duke ndërmarrë për të rritur nivelin e moderimit të postimeve në gjuhën shqipe dhe mbi mundësitë që ofron aplikacioni për denoncimin e rasteve dhe kontrollin prindëror mbi postimet e fëmijëve”, tha në shkurt Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë