Nga Gazeta ‘Si’- Në konferencën e kryetarëve të Kuvendit, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla i është drejtuar demokratëve duke u thënë se po shkelin marrëveshjen e sesionit të kaluar parlamentar, ku u dakordësua bashkëpunimi për arritjen e reformës zgjedhore dhe asaj territoriale.
Grupi i PD-së është tërhequr nga komisionet përkatëse në shenjë revolte pas zgjedhjes së padrejtës sipas tyre të Avokatit të Popullit.
Balla bëri të qartë që nëse anëtarët e PD, do të refuzojnë t’i bashkohen komisioneve, PS do të jetë e detyruar për të vijuar punën e vetme.
“Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur. Mos humbisni kohë kot as me ‘shtrimin e tapetit’ të alibisë për humbjen e radhës. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, një Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër. Por duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund t’i bllokoni reformat. Kemi bërë një marrëveshje në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve. Nëse ju sot thoni ‘tërhiqemi nga komisionet’, kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën edhe pa ju” tha ai.
Balla shtoi se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore.
“Reforma zgjedhore, sa i përket Kodit Zgjedhor, kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicien tonë për një reformë më të thellë, e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë. Dëgjova zotin Gjekmarkaj se opozitës i është mohuar e drejta e fjalës. Ka një indikator shumë domethënës nga sesioni i kaluar: koha e diskutimeve. Opozita ka marrë 48 orë diskutime, ndërsa shumica, bashkë me Qeverinë, 40 orë diskutime në seancë plenare”, tha Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



