Politike

Balla opozitës në Byronë e Kuvendit: Përdorët lëndë tymuese, e papranueshme

Nga Gazeta ‘Si’- Në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka ngritur pyetje të drejtpërdrejta ndaj deputetëve të Partia Demokratike, ndaj të cilëve janë marrë masa ndëshkimore për sjelljen e tyre në seancat plenare.

Balla i pyeti deputetët nëse kanë pasur vërejtje apo paralajmërime nga Partia Popullore Europiane lidhur me veprimet e tyre në Kuvend, duke e cilësuar këtë një çështje serioze për imazhin parlamentar të opozitës.

Gjatë diskutimeve, ai u ndal edhe te seanca e 18 dhjetorit, duke pyetur konkretisht nëse deputetët kanë përdorur lëndë tymuese në sallë dhe nëse janë në dijeni të kuadrit ligjor që ndalon përdorimin e tyre.

Sipas Ballës, objektivi i këtij ligji është garantimi i sigurisë publike dhe vendosja e procedurave të qarta për administrimin e lëndëve piroteknike, duke theksuar se shkelja e tij përbën një cenim të rëndë të rendit institucional.

Në fjalën e tij, Balla deklaroi se nuk mban mend të ketë marrë pjesë ndonjëherë në mbledhje të Byrosë së Kuvendit “me mendje”, duke nënvizuar se nga opozita pritej reflektim pas masave të marra, por sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ai sqaroi gjithashtu se mbledhjet e Byrosë zhvillohen me dyer të mbyllura, duke shtuar se kush ka eksperiencë parlamentare është i njohur me këtë praktikë, referuar kërkesës së PD që mbledhja të ishte e hapur për mediat.

Ndërkohë në fjalën e saj ajo u shpreh se në vend që të mblidhen për të hequr mandatin e Belinda Ballukut, mblidhen për të përjashtuar opozitën nga Parlamenti.

Sipas Vokshit, mazhoranca nuk ka të drejtë të pezullojë mandatin e deputetëve të opozitës.

“Mandatin e deputetit nuk e pezulloni dot ju, sepse na e kanë dhënë qytetarët,” tha ajo, duke e cilësuar vendimin si një precedent të rrezikshëm për demokracinë dhe pluralizmin politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë