Politike

Balla: Nuk i kemi marrë asnjë komision opozitës! Bardhi: PS voton ligje të propozuara nga oligarkët

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i grupit të PS, Taulant Balla në seancën plenare të së martës edhe njëherë i kërkoi opozitës që të mbështesë propozimin e mazhorancës për riformatimin e komisioneve parlamentare.

Sipas Ballës, opozitës nuk i është marrë asnjë komision, teksa shtoi se ky riformatim bëhet në bazë të nevojave që ka vendi, drejt synimit kryesor të anëtarësimit në BE.

“Ky nuk është një propozim, por për herë të parë është depozituar i plotë dhe ka të bëjë me transformimin e Kuvendit sipas nevojës që ka vendi dhe Kuvendi. Nuk mund të vazhdonim me një ndarje komisionesh që në një sektor risillte një emërtesë nga Kuvendi Popullor i 88. Jemi në 2025, kjo mazhorancë dhe ky kryeministër javë votuar për të jetëzuar vizionin tonë për Shqipërinë në BE në 2030.

Puna në kuvend të reflektojë kapitujt, me fokus në disa fusha ku opozita ka rëndësinë. Nuk i kemi marrë opozitës asnjë komision, i kemi shtuar fusha jetike. Është jetike të drejtojë komisionin për arsimin, shëndetësinë dhe ndër më të rëndësishmit atë të të drejtave të njeriut”, tha Balla.

Nga jashtë sallës së Kuvendit, deputetja e PD Jorida Tabaku e cilësoi përjashtimin e opozitës nga Komisioni i Integrimit si një hap pas për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Komisioni i Integrimit ishte një domosdoshmëri që ta trajtonte procesin e integrimit si një përfshirje të të gjithë forcave politike. Fatkeqësisht qeveria shqiptare ka dështuar me kohë me këtë proces”, tha Tabaku.

Ndërkohë, deputeti i PD Gazment Bardhi u shpreh se ndryshimet sipas tij diktohen nga kryeministri Edi Rama.

“Sa i takon ndryshimeve të Rregullores, duhet t’ju turpërojë si Kryetar i Kuvendit. Ndryshimet diktohen nga kreu i ekzekutivit, pasi gjithë verës i diktoi strukturat pushtetit lokal, pasi i dikton vendimet gjyqtarët e prokurorëve, e i sulmon. Kuvendi i diktohet ekzekutivit. Ku ndodh dhe del Kryeministri thotë që Kuvendi organizohet sipas Këshillit të Ministrave. Nuk është një partiak”, tha Bardhi.

Sipas tij, deputetët e PS-së janë kthyer në noterë të qeverisë. Bardhi u shpreh se në Kuvend po votohen ligje klienteliste dhe të propozuara nga oligarkët.

Bardhi foli edhe për çështjen e Komisioneve, sidomos për atë të Integrimit që iu hoq opozitës, ndërsa tha se kjo qeveri në vend që të bashkëpunojë me opozitën për integrimin, e sulmon atë.

“Sa te jeni ju në qeveri e keni të pamundur të mbyllni një kapitull nga themeloret, sepse ju jeni qeverisja e krimit dhe korrupsionit”, tha Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë