Politike

Balla kërkon nga SPAK hetimin e Berishës, Tabaku: Të hetohen të gjithë “non gratat”

Këndvështrimi i kundërt që ka mazhoranca dhe opozita në lidhje me përmasat e korrupsionit në Shqipëri u shpalos edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Në tryezën e organizuar për t’u njohur me realizimin e rekomandimeve të vendosura nga Komisioni Europian dhe GRECO, kryetarja e këtij këshilli, Jorida Tabaku u përplas me zv.kryetarin Taulant Balla në sy të kreut të SPAK, Arben Kraja.

“Pse SPAK nuk heton 21 janarin? Pse nuk heton korrupsionin në Gërdec? Çfarë mendimi ka prokuroria shqiptare për non gratën, se SHBA e ka përcaktuar Sali Berishën ‘non grata’”, tha Balla.

Jorida Tabaku reagoi duke e cilësuar këtë kërkesë të Ballës si jashtë fokusit të integrimit. “Pastaj kaloj dhe unë tek non gratat e tjerë”, tha ajo.

“Ruani qetësinë. Shqipëria si një vend që ka SHBA partner strategjik duhet të marrë seriozisht dokumentet e tjera. Berisha ka kryer shpërdorim detyre. Prokuroria shqiptare ka regjistruar ndonjë procedim penal? I ka çuar ndonjë letër-porosi? Keni dokumentacion?”, replikoi Balla.

“Unë shpresoja që të njëjtat mendime t’i ndanit edhe për ish-deputetët e Partisë Socialiste që janë shpallur ‘non grata’ dhe bëhet fjalë për krime zgjedhore. Ndaj ju ftoj që thirrjen SPAK t’ia bëni edhe për ata”, reagoi Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë