Kombetarja

Balaj: Në Francë kemi eksperiencë pozitive, shpresoj të shënoj dhe në Kombëtare

Kombëtarja shqiptare është grumbulluar në Durrës dhe ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e radhës eliminatore të Euro 2020, me Francën dhe Islandën. Të parët që kanë dalë në konferencë shtypi ishin sulmuesi Bekim Balaj dhe portieri Tomas Strakosha. Futbollisti shkodran vjen në Kombëtare pas dygolëshit të shënuar në kampionatin austriak me Shturmin, në një formë mjaft të mirë sportive.

Për ndeshjet me Francën dhe Islandën, Balaj ka theksuar: “Dihet çfarë kundërshtarësh kemi përballë, e njohim forcën e tyre dhe jemi të përqendruar maksimalisht. Do të luajmë për rezultat pozitiv në të dyja ndeshjet, edhe pse do të jetë e vështirë, sidomos në Francë. Në këtë vend kemi një eksperiencë pozitive dhe mund të marrim pikë. Nga ana jonë, do të bëjmë ç’është e mundur.

Kuqezinjtë festojnë fitoren ndaj Moldavisë. Gazeta Si, 2 shtator 2019

Personalisht, gëzoj një formë të mirë, vij në Kombëtare pas 2 golave të shënuar javën e fundit për ekipin tim. Kam luajtur gati në të gjitha ndeshjet me Shturmin në Austri dhe shpresoj të vazhdoj edhe në Kombëtare me këtë formë. Trajneri Reja, sapo u takuam, më përgëzoi për golat e fundit. Titullar? Kuptohet që dëshira e të gjithëve është të luajnë, por në fund vendos trajneri. Në Kombëtare nuk është çështja të plotësohen tekat e lojtarëve, por të bëhet më e mira për ekipin. Duhet parë edhe mënyra si do të vendosemi në fushë”.

Ndeshja me Francën do të luhet më 7 shtator, në “Stade de France”. Kjo është ndeshja e parë mes Shqipërisë dhe Francës, kurse me Islandën, kuqezinjtë kanë luajtur në transfertë dhe janë mundur 1-0. Me këtë kundërshtar ekipi i trajnerit Reja do të ndeshet sërish më 10 shtator në stadiumin “Elbasan Arena”. Shqipëria ka 6 pikë pas 4 ndeshjesh në Grupin H të eliminatoreve të Europianit. Kryesojnë Franca, Turqia dhe Islanda me nga 9 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë