Bekim Balaj dhe Endri Çekiçi ishin dy futbollistët e parë që dolën në konferencë shtypi në prag të miqësoreve me Uellsin dhe Çekinë, që Kombëtarja jonë do të luajë me më 5 dhe 8 qershor. Sulmuesi shkodran dhe mesfushori pogradecar i vlerësojnë si teste të rëndësishme këto ndeshje, ku duhet marrë maksimumi.

I pari foli Bekim Balaj, sulmuesi me përvojë që rikthehet në Kombëtare. “Është kënaqësi dhe vlerësim i madh sa herë vesh fanellën e Kombëtares. Emocioni është i madh si herën e pare. Këto ndeshje miqësore kanë vlerësimin maksimal, pasi kundërshtarët janë të ngjashëm me ata që kemi në grup, si Hungaria dhe Polonia. Janë test para këtyre sfidave dhe përqëndrimi dhe vlerësimi janë maksimal.
Fizikisht ndihem mirë, nuk kam pasur dëmtime. Jemi grumbulluar më herët, në mënyrë që të kemi ditë në dispozicion për stërvitje dhe të bëhemi gati në mënyrën më të mire. Mendoj se është konsoliduar grupi pak a shumë. Ndryshimet nuk është se kanë qenë të mëdha. Kemi luajtur me dy kundërshtarë të lehtë dhe morëm pikët maksimale. Me Anglinë ishte një ndeshje që ndoshta mendohej si e humbur. Nuk duhet të masim forcat me Anglinë, mendoj se sfida të vërteta për ne janë ato me me rivalët direkt”, – ka theksuar Balaj.

Më pas ishte radha e Endri Çekiçit, i cili fillimisht foli për aventurën e tij turke: “Më ka ndihmuar shumë ky sezon i parë në kampionatin turk, pasi është një kampionat më i fortë nga ata që kam luajtur më përpara. Më shumë më ka ndihmuar të rritem në aspektin personal. Tek ekipi im luaj si mesfushor qendre ose numër 10, kështu që besoj se edhe në Kombëtare te treshja e mesfushës e gjej veten më mire”.
Futbollisti pogradecar pastaj komentoi dy miqësoret e qershorit: “Në momentin që do më jepet mundësia, do të jap maksimumin që ta bind trajnerin. Uellsi dhe Çekia janë si Hungaria dhe Polonia dhe ne duhet të shikojmë veten se ku jemi dhe çfarë duhet të përmirësojmë deri në momentin që do vijnë ato dy ndeshje. Nuk nënvlerësojmë asnjë ekip. Kur kam folur me trajnerin, ai më ka shpjeguar pak a shumë pozicionin që do nga mua, kështu që shpresoj ta ndihmoj ekipin dhe këtë ta tregoj në fushën e lojës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




