Gazeta Si – Nedim Bajrami mbetet një pistë e nxehtë e merkatos. Fiorentina nuk ka në plan të heqë dorë nga fantazisti kuqezi, që tashmë është kthyer në një fiksim të trajnerit Vinçenco Italiano.
Ideja e fundit për të mbërritur te shqiptari i Empolit është shkëmbimi. Fiorentina i ofron Empolit dy lojtarë, Kouame dhe Zurkovskin, për të pasur në skuadër Bajramin. Ky është propozimi i fundit, sipas shtypit sportiv italian, ndërsa klubi i Empolit nuk ka reaguar ende.

Gjatë merkatos së kësaj vere Empoli humbi Kristjan Asllanin, i cili bëri bujë me kalimin tek Interi. Tani një shqiptar tjetër është drejt largimit, me destinacion më të mundshëm Firencen. Adrian Ismajli, në një formë shumë të mirë këtë fillim sezoni, duket se do të mbetet vetëm.
Bajrami ka qenë gjithmonë i lakuar në merkato, pasi është një lojtar me një bagazh të veçantë teknik. Edhe klube të tjera të mëdha e kanë pasur në listën e dëshirave, por Fiorentina është ajo që po këmbëngul për ta marrë çdo kusht lojtarin e Kombëtares shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




