Futboll

Bajrami i shënon Interit, mesfushori kuqezi vë firmën e tij në fitoren e Sasuolos

Gazeta Si – Nedim Bajrami shënon ndaj Interit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare vuri firmën e tij në ‘San Siro’, ku Sasuolo fitoi me përmbysje 1-2, duke i shkaktuar skuadrës së Inzagit humbjen e parë në këtë kampionat. Zikaltrit barazohen në krye të Serinë A me Milanin, me nga 15 pikë.

Interi kaloi i pari në avantazh me Dumfris, por në pjesën e dytë gjithçka u përmbys dhe iniciatori ishte pikërisht Nedim Bajrami. Ai barazoi shifrat me një gjuajtje potente në zonë, duke mposhtur Somer, të cilit i shpëtoi topi nga duart. Pak minuta pas golit të barazimit, Bajrami u zëvendësua. Pastaj Berardi realizoi një gol mjaft të bukur, që i dha fitoren Sasuolos në Milano.

Kristjan Asllani, mesfushori kuqezi i Interit, nuk mori asnjë minutë në këtë sfidë nga trajneri Simone Inzagi.

Më parë Milani kishte fituar në fushën e Kaljarit me rezultatin 1-3. Një fitore me përmbysje e kuqezinjve, të cilët realizuan me Okafor, Tomori dhe Loftus Çik.

Sa u takon futbollistëve të tjerë të Kombëtares, portieri Berisha dhe sulmuesi Shpendi ishin titullarë në fitoren 1-0 të Empolit ndaj Salernitanës. Ismajli mungoi për shkak dëmtimi.

Berat Gjimshiti, si gjithmonë, i rëndësishëm për Atalantën, që fitoi 0-1 në Verona. Mbrojtësi kuqezi ishte lider në prapavijën bergamaske dhe u vlerësua me notën 7.5 për paraqitjen e tij. Elseid Hysaj u fut në fushë në minutat e fundit të ndeshjes Lacio-Torino, 2-0.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë