Kombetarja

Bajrami (FSHF e fitoi në CAS) dhe Asani, dy shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që gjaku e zemra i veshi kuqezi!

Gazeta Si – Njëri i lindur në Shkup, me pasaportën e parë të Maqedonisë së Veriut, dhe tjetri i lindur në Zyrih, me pasaportën e parë zvicerane, por të dy me rrënjë shqiptare, të rritur dhe të ushqyer nga familjet e tyre nën zhargonin “kemi gjak shqiptari.”

Bëhet fjalë për dy “heronjtë” e 17 qershorit në “Air Albania” përballë Moldavisë, Jasir Asanin dhe Nedim Bajramin. I pari shënoi golin më të bukur të javës, të cilësuar nga UEFA, ndërkohë që ngriti peshë 20 mijë tifozë në stadiumin kombëtar në kryeqytet, ndërkohë i dyti mbahet mend veç paraqitjes dhe golit që siguroi fitoren ndaj Moldavisë edhe për një betejë ligjore të ashpër me FIFA-n dhe Zvicrën, me të cilën ka zhvilluar 51 ndeshje moshah, nga U-15 në debutimin e tij në vitin 2013 deri në vitin 2018.

Vendimi i CAS-it per ceshtjen Bajrami. Gazeta Si, 19 qershor 2023

Rreth një muaj më parë Federatës Shqiptare të Futbollit iu rimbursuan 30.000 franga zvicerane nga FIFA për Nedim Bajramin, si për t’i kujtuar sfidën ligjore dhe për të vërtetuar rrënjët shqiptare të tij. Bajrami ka lindur në Zyrih nga prindër shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, por si të gjithë emigrantët legjitimë, të pajisur edhe ata me pasaporta zvicerane.

I kontakuar nga Gazeta Si, drejtuesi i departamentit ligjor pranë FSHF-së, Aldi Topçiu, përfaqësues dhe dëshmitar i kësaj beteje në CAS të Lozanës, pas refuzimit në disa raste të vetë FIFA-s për dokumentacionin që i ishte vënë në dispozicion për futbollisin shqiptar, tregon se çelësi i fitores së kësaj beteje ishte vetëm një: “Bajrami ndihej shqiptar, familja me origjinë nga Tetova dhe ai bashkë e kishin ëndërr të luanin nën ngjyrat kuqezi.”

Faksimile e vendimit te CAS per Bajramin. Gazeta Si, 19 qershor 2023

Por në favor të këtij fati të përcaktuar ishte çuditërisht edhe trajneri me origjinë nga Bosnjë Hercegovina i Zvicrës asokohe, Vladimir Petkoviç, i cili i pyetur nga Federata Zvicerane nëse i duhej apo jo Nedim Bajrami, që të luante me përfaqësuesen A të helvetëve, u përgjigj: “Kemi shumë shqiptarë në ekip, duhet të ruajmë balancat…”

Më 30 gusht të vitit 2021 gjykata e arbtrazhit sportiv të Lozanës mori vendimin në favor të palës shqiptare, duke lejuar Nedim Bajramin të përfaqësojë Shqipërinë dhe vetëm 5 ditë më vonë, më 5 shtator të viti 2021, ai bëri debutimin përballë Hungarisë, ndeshje të cilën e fituan kuqezinjtë me shifrat 1-0.

Që nga ajo kohë Nedim Bajrami mbetet ndër lojtarët kryesorë të ekipit tonë përfaqësues, një numër ‘10’ i formacionit që i mungonte prej vitesh.

Jasir Asani pershendet tifozet e Kombetares pas fitores me Moldavine. Gazeta Si, 19 qershor 2023

Jasir Asani, për fatin e tij sa të mirë dhe të keq njëkohësisht, 2-3 vite më parë aktivizohej në Superligën shqiptare me Partizanin. Prej vitit 2014 ai ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, ndërkohë në vitin 2016 zhvilloi një ndeshje me përfaqësuesen tonë U-21, por kjo nuk mjaftonte që ai të mos kthehej të luante me përfaqësuesen A të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht debutimit me kuqezinjtë e vegjël.

Për fatin e tij të keq asokohe, trajneri i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski, pavarësisht “presionit” për ta patur në eliminatore me përfaqësuesen maqedonase, ishte i prerë: “Ai nuk është një lojtar për ne… as ka qenë e as do të jetë në planet e mia”.

Megjithatë, ishte trajneri Redi Jupi atëherë që e thirri me kombëtaren U-21 dhe sot Silvinjo që i dha shansin, pavarësisht aktivizimit në Korenë e largët, që të veshë fanelën kuqezi dhe ta nderojë atë me golin e së shtunës, që nuk do ta harrojnë lehtë jo vetëm moldavët, që i shkaktuam humbjen e parë në këto eliminatore, por asnjë shqiptar dhe futbolldashës. Ndoshta as Angelovski, që padashje na bëri dhuratë një tjetër lojtar të rëndësishëm të formacionit kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë