Futboll

Bajerni vulos dështimin e radhës për PSG-në, edhe Milani në çerekfinale

Gazeta Si – Bajern Mynih dhe Milani janë çerekfinalistët e radhës në Ligën e Kampionëve. Bavarezët fituan edhe ndeshjen e kthimit ndaj PSG-së, 2-0 në ‘Allianz Arena’, duke u kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 3-0. Milani mori një barazim pa gola në Londër dhe falë fitores 1-0 në ndeshjen e parë kalon më tej.

Çoupo Moting zhbllokoi shifrat në mesin e pjesës së dytë, pas një gabimi të rëndë të Verratit. Më parë sulmuesit të Bajernit iu anulua një gol për pozicion jashtë loje. Gnabri, i aktivizuar nga stoli, dyfishoi në minutën e fundit për gjermanët. Dy nga yjet më të mëdhenj të futbollit, Mesi dhe Mbape, tashmë do të ndjekin Championsin nga televizori.

Tifozët bavarezë ndërkohë shpalosën një pankartë gjigante polemizuese, ku shfaqej Uli Hënes me një hanxhar në dorë dhe një dorë e prerë, ku shkruhej: “Kasapi ynë e preu dorën e gjatë të Katarit”.

Milani eliminoi Totenhemin e Kontes dhe rikthehet mes 8 më të mirëve të Europës pas 11 vitesh nga hera e fundit. Skuadrës së Piolit i ka mjaftuar barazimi 0-0 për t’u kualifikuar, duke iu bashkuar kështu Benfikës, Çelsit dhe Bajernit.

Nga ndeshja Totenhem-Milan, 0-0. Gazeta Si, 8 mars 2023

Kuqezinjtë rrezikuan pak në këtë ndeshje, krijuan më shumë se kundërshtari, madje goditën edhe një shtyllë me Origin. Në fund shfrytëzuan superioritetin numerik, pasi Romero u ndëshkua me karton të kuq. Maingnan ishte në lartësinë e duhur për të shmangur ato pak raste që krijoi Totenhemi. Milani e meritoi plotësisht kualifikimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë