Gazeta Si – Herri Kejn është gjithmonë e më afër Bajernit të Mynihut, por ende marrëveshja nuk është mbyllur. Bashkëshortja e sulmuesit të Totenhemit, – që kërkon 100 milionë euro për këtë futbollist, – është parë në qytetin gjerman, ku sipas ‘Bild’, ka kërkuar shtëpi dhe ka parë disa shkolla për fëmijët.
Megjithatë, orët e fundit edhe PSG ka intensifikuar përpjekjet për sulmuesin anglez. Për momentin, Kejn nuk ka vendosur përfundimisht se ku do të shkojë, por është e qartë se tashmë për të ka një ankand të fortë.

Parisienët, duke qenë se janë shumë afër lamtumirës së Kilian Mbape, kërkojnë një lojtar me peshë për sulmin. I tillë është Herri Kejn, që parapëlqehet para serbit Dushan Vlahoviç të Juventusit. Do të ishte një stërkëmbësh për Bajernin, që për anglezin po bën plane prej kohësh, që pas largimit të Levandovskit.
Ekonomikisht PSG është më e fortë dhe mund ta tundojë sulmuesin anglez, por edhe Bajerni është një emër shumë i madh dhe ndoshta Kejn nuk do të vendosë në peshore vetëm ofertën financiare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




