Futboll

Bajerni rrit ofertën për De Ligt, Dibala i thotë ‘Po’ Romës

Gazeta Si – Bajerni i Mynihut po përgatit sulmin vendimtar për De Ligt. Në kontaktet e fundit me Juventusin, drejtuesit bavarezë kanë lënë të kuptohet se mund të afrohen ndjeshëm te kërkesat bardhezi sapo të formalizohet kalimi i Levandovskit te Barcelona.

Klubi gjerman kërkon ta mbyllë operacionin deri në mesjavë, para se mbrojtësi holandez të niset me Juventusin për turneun në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të paktën ky është plani.

Pas ofertës së parë të refuzuar prej 60 milionë eurosh, plus 10 bonus, Bajerni është gati të shtojë edhe 10-15 milionë euro në total. Propozimi i ri pritet të jetë 70-75 milionë euro, plus 5 bonus.

Mathijs de Ligt. Gazeta Si, 17 korrik 2022

Në kuotën e 80 milionë eurove Juventusi do të negocionte për shitjen e lojtarit. Deri tani bardhezinjtë kanë pretenduar 90-100 milionë, por duhet të kenë parasysh merkaton dhe vullnetin e De Ligt për të ndërruar ambient. Në mungesë rinovimi do të ketë më pak fuqi kontraktuale më tej.

Juventusi ndërkohë po sheh për zëvendësuesin e holandezit. Kulibali ra si pistë, pasi kaloi te Çelsi. Pau Torres është një mundësi, por për spanjollin duket se 45 milionë euro nuk mjaftojnë.

Zhvillime të reja ka edhe në pistën Dibala. Pas telefonatës së Mourinjos, Roma doli zyrtarisht hapur. Menaxheri i përgjithshëm, Tiago Pinto, pati kontakte me njerëzit e Dibalës. Ai ka bërë edhe një ofertë konkrete, që u duk shumë e ulët, por tashmë marrëveshja është arritur.

Pinto propozoi një pjesë fikse prej 4 milionë eurosh, së cilës i shtohen bonuse të ndryshme, që do ta çonin deri në 5.5 milionë euro shumën që do të përfitonte argjentinasi.

Paulo Dibala. Gazeta Si, 17 korrik 2022

Gjatë natës Dibala pati një telefonatë me trajnerin Mourinjo, që duket se ka qenë vendimtare. Këtë herë ishte vetë Dibala që ka kërkuar Romën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë