Futboll

Bajerni në kërkim të mbrojtësve, gati të rikthejë në ekip Zherom Boateng

Gazeta Si – Bajerni është gati të rikthejë në skuadër një njohje të vjetër, mbrojtësin Zherom Boateng. Prej largimit të Pavard tek Interi, bavarezët ishin në kërkim të një lojtari për të plotësuar prapavijën.

Edhe pse merkatoja është mbyllur, klubi gjerman vazhdoi kërkimet dhe së fundi ka qarkulluar emri i Boateng, një lojtar pa kontratë pas largimit nga Lioni. Ai është stërvitur me bavarezët, ku ka kaluar shumë vite, ndërsa tani është pranë rikthimit zyrtar.

Mbrojtësi shtatlartë ka fituar gjithçka me fanellën e Bajernit dhe sigurisht që është i lidhur ngushtë me të. Eksperienca te Lioni në kampionatin francez nuk shkoi si duhet për 35-vjeçarin. Bajernit mund t’i shërbejë përvoja e tij në momente të caktuara, aq më tepër që pranë largimit është edhe një lojtar tjetër i prapavijës, Mathijs De Ligt.

Trajneri Tomas Tuhel ka preferuar të aktivizojë si titullarë në qendër të mbrojtjes Upamekanon dhe koreanin Kim, i blerë nga Napoli verën e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë