Gazeta Si – Vështirë të ketë pasur më parë merkato kaq të zhurmshme sa i takon portës. Disa nga klubet e mëdha kanë qenë në kërkim të portierëve me kualitet, të diktuar nga rrethana të ndryshme. Rasti më i fundit është Real Madrid, që pas dëmtimit të Kurtua duket se ka zgjedhur spanjollin Kepa.
Ai nuk ishte në dispozicion të Çelsit për ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Liverpulit, që përfundoi në barazim, 1-1. Transferimi i Kepës te Reali është vetëm një formalitet. Dy klubet po diskutojnë detajet e fundit për huazimin e portierit.

Portieri në fjalë ishte në shënjestër të Bajernit, që e priste për vizitat mjekësore, por bavarezët janë dorëzuar, duke bërë me dije se Kepa po shkon te Reali. Skuadra gjermane pak ditë më parë shiti Somer tek Interi, ndërsa Nojer kërkon ende kohë që të rikuperohet, ndaj dhe po kërkon një tjetër portier.
Kepa u ble nga Çelsi në 2018-ën për 80 milionë euro, duke u bërë kështu portieri më i paguar në histori. Tani 28-vjeçari largohet për te Reali, ku do të zëvendësojë belgun Kurtua, që ka vënë në diskutim sezonin e ri, pas një dëmtimi të rëndë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




