Një serial i ri në Netflix ka pushtuar botën.
“Baby Reindeer” një serial i bazuar në një ngjarje të vërtetë flet për përndjekjen, ndjesitë e injoruara, duke treguar se cikli i dhunës nuk mbaron, nëse traumat nuk zgjidhen. Ngjarja bazohet në jetën e krijuesit të serialit, Richard Gadd.
Komediani luan rolin e personazhit kryesor, i cili është një version e vetes së tij, i quajtur Donny Dunn. Në këtë serial, ai tregon eksperiencën e përndjekjes nga një grua në moshë të mesme, me nofkën Martha (emri i vërtetë i saj supozohet të jetë i fshehtë).
“Është shumë e vërtetë dhe padyshim unë u përndoqa dhe u abuzova rëndë. Por ne donim që kjo përvojë të ekzistonte në sferën e artit, si dhe të mbronte njerëzit për të cilët tregohet ngjarja”.
Gadd cek edhe përvojën e tij të përdhunimit nga një shkrimtar më i vjetër në moshë dhe asokohe i suksesshëm.
Kush është Donny Dunn në serialin “Baby Reindeer”?
Donny Dunn është një personazh, i cili është versioni artistik i Richard Gadd. Richard është një komedian skocez, i cili e nisi karrierën e tij duke bërë shfaqje stand up-i. Shfaqja e tij “Monkey See, Monkey Do”, fitoi çmimin e komedisë në Edinburg në vitin 2016. Seriali bazohet pikërisht në jetën e tij, pasi ai u përdhunua nga një burrë më i moshuar, i cili e manipuloi në fillimet e karrierës.
Personazhi, pra, Donny, përndiqej nga një grua, e cila në serial quhet Martha. Njëjtë ka ndodhur edhe me komedianin skocez. Donny punonte në një bar dhe Martha ishte kliente. Ajo shpesh bisedonte me të. Më pas, u fiksua dhe për 4 vite, i shkruante emaile duke e quajtur “Baby Reindeer”. Gjatë asaj kohe, vetë Gadd mori 41,071 emaile, 744 postime në X, 46 mesazhe në Facebook dhe 106 letra prej saj. “Në fillim të gjithë në bar menduan se ishte qesharake që kisha një admiruese,” tha Gadd për “The Times” në prill të këtij viti. “Më pas, ajo filloi të pushtonte jetën time, duke më ndjekur, duke u paraqitur në shfaqjet e mia, duke pritur jashtë shtëpisë sime, duke dërguar mijëra emaile”.
Megjithëse ai shkoi në polici dhe raportoi rastin, kjo s’e ndihmoi shumë. Gadd tha se për policinë, situata ishte e pakuptueshme që një burrë të përndiqej nga një grua, kur zakonisht ndodh e kundërta.
Ai tha se ishte i frikësuar dhe nuk e dinte sa larg mund të shkonte vajza që e përndiqte, pasi mund të kishte edhe një thikë me vete, por nga ana tjetër, mendoi se sa e frikshme është për gratë kur përndiqen nga një burrë.
Rrëfimi i tij për serialin
Ai tregoi se kthimi i historisë së tij në një serial ishte shërues, megjithëse tronditës. “Nuk mund t’i mbaja të gjitha (për vete). Shfaqjet ishin gjithçka kisha. Isha i tronditur. Kur mbani brenda një eksperiencë për kaq gjatë, ndjesia bëhet gjigante dhe e pakapërcyeshme, por përmes performancës, mund të dalësh disi jashtë vetes, për ta vëzhguar dhe procesuar atë”.
Gadd nuk e deklaroi kurrë publikisht emrin dhe identitetin e vërtetë të Martha-s, në përpjekje për ta mbrojtur atë. Megjithëse ajo e përndoqi për më shumë se 4 vjet, Gadd tha se kishte një nivel të caktuar empatie për një person që vuante nga një sëmundje mendore. Në një intervistë për GQ, ai u shpreh se për të mos zbuluar identitetin e saj, ai ndryshoi disa aspekte të karakterit të personazhit, që askush të mos e gjente se kush është ajo.
“Ne kemi bërë përpjekje shumë të mëdha për ta maskuar atë deri në atë pikë sa mendoj se as ajo nuk do ta njihte veten,” tha ai. Pavarësisht përpjekjeve të tij për të fshehur identitetin e përndjekëses, njerëzit në internet dyshohet se e kanë identifikuar gruan dhe i kanë dërguar “kërcënime me vdekje”, sipas deklaratës që një grua që pretendonte se ishte Martha në jetën reale i dha Daily Mail.
Ajo pohoi se detaje të shumta të identitetit të saj dhe Martha-s janë të njëjta: Të dyja janë skoceze, kanë studiuar drejtësi, janë 20 vjet më të vjetra se Gadd dhe kanë përdorur gjuhë sensuale në shkrimet e tyre. Megjithatë, një ndryshim midis Martha-s dhe vetes së saj, tha ajo, ishte se ajo kurrë nuk e quajti Gadin me pseudonimin “Baby Reindeer”, nofkë që Martha ia vendosi Donny-t, për shkak se i ngjasonte me një lodër të fëmijërisë së saj.
Çfarë ndodh me Martha-n në “Baby Reindeer”?
Në serial, Martha dënohet me 9 muaj burg dhe me një urdhër ndalimi 5-vjeçar, pasi ajo la qindra mesazhe në tefoninin e Donny-t, duke e bërë të frikësohet për jetën dhe familjen e tij. Pasi mori dënimin Martha, Donny ndjeu mëshirë për të.
Po me Martha-n në jetën reale?
Në jetën reale, Gadd nuk e ka bërë të qartë se ç’bëhet me Martha-n, megjithëse situata është zgjidhur. “Është zgjidhur,” tha ai për The Times. “Kisha ndjenja të përziera për këtë – nuk doja ta çoja në burg dikë që ishte e sëmurë mendore”, u shpreh ai.
Ndërsa “Baby Reindeer” është bërë një prej serialeve më të ndjekur, një grua pretendon se është Martha e vërtetë dhe jeton në Londër. Ajo shprehet se po shqyrton vendimin për të marrë masa ligjore kundrejt Gadd.
“Ai gjithmonë mendon se është në qendër të gjërave”, tha ajo. “Unë nuk jam duke shkruar nëpër emisione për të, apo duke i promovuar ndodhitë në media, apo jo? Nëse ai donte që unë të isha anonim, ai mund ta kishte bërë këtë. Gadd duhet të më linte të qetë”, shprehet ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.