Pas një ndeshjeje shumë të luftuar me ukrainasen Elina Svitolina, që fitoi medaljen e bronzit në Tokio, Leilah Fernandez është tenistja më e re në moshë që shkon në gjysmëfinale, më e re se Maria Sharapova në 2005-ën. Tani sfidon Sabalenkën.
Ishte një luftë e fortë, një ndeshje entuziazmuese, argëtuese dhe me kthesa të papritura. Në fund, në gjysmëfinale të Us Open ka shkuar Leilah Fernandez, 19-vjeçarja numër 73 në renditjen botërore. Pasi eliminoi kampionen në dalje Naomi Osaka dhe tri herë kampionen në turnetë Slam, Enxhi Kerber, ka mundur edhe Elina Svitolinën. Ndeshja përfundoi 2-1 (6-3, 3-6 dhe 7-6).

Një arritje e pabesueshme për Fernandez, kanadezen me nënë filipinase dhe babanë ish-futbollist të Ekuadorit. “Sinqerisht, nuk e kam idenë se si ndihem tani, – ka thënë ajo pas fitores. – Kam thënë gjithmonë se kam besim në gjuajtjet e mia, doja të luaja tenisin tim dhe jam e lumtur që ia arrita qëllimit”.
Në tribunë, duke duartrokitur ishin nëna e 19-vjeçares dhe trajneri i fitnesit me origjinë kubane, Duglas Kordero. Por frymëzimin tenistes së re ia ka dhënë babai Xhorxh, që është edhe trajneri i saj, edhe pse vjen nga futbolli. “Babi im gjithmonë më ka dhënë një mal me këshilla, por këtë herë, para se të hyja në fushë, më tha vetëm kaq: ‘Është hera e parë për ty në çerekfinale të një turneu Slam, shko e argëtohu dhe bëje me mendimin se nuk është ndeshja jote e fundit. Lufto për ëndrrat e tua”.

Dhe falë stërvitjes në plazh që i bën Kordero, Fernandez është më e reja që shkon në një gjysmëfinale të Us Open, duke i marrë vendin Sharapovës. Ëndrra vazhdon dhe në gjysmëfinale Fernandez do të ndeshet me bjellorusen Arina Sabalenka. Koka e serisë numër 2 ka mundur 6-1 dhe 6-4 çeken Barbora Krejçikova, fituesen e “Roland Garros”-it.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




