Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, publikuar dy përgjime të reja në lidhje me dosjen “Babalja”, për të cilën Salianji është marrë edhe si i pandehur, bën publike të tjera fakte. Ai akuzoi kryeministrin Rama se ka fabrikuar e mbajtur me para dëshmitarin e rremë të çështjes Babale, Fredi Alizotin.
Gjithashtu PD ka vendosur që të padisë në prokurori, 4 prokurorët e ccështjes “Babalja” dhe drejtuesit e policisë së Fierit.
“Dy përgjime të reja faktojnë se drejtuesit e policisë në Fier paguajnë dëshmitarin e sajuar, të deleguar nga “shefi i madh”, që provohet se është Fatmir Xhafaj. Përgjimet provojnë se Edi Rama është faktuar si arkitekti i mbrojtjes së trafikantit të drogës Agron Xhafaj, ndërsa Fatmir Xhafaj si ministri që vuri policinë dhe prokurorinë në shërbim të falsifikimit të së vërtetës”, theksoi Salianji.
Sipas tij përgjimet zyrtare që në mënyrë të paligjshme nuk i ka zbardhur faktojnë se dëshmitari Alizoti është i sajuar dhe i mbajtur me lekë për llogari të pushtetit të Edi Ramës.
“Sot po bëjmë publik dy përgjime, që faktojnë jo vetëm se drejtuesit e policisë në Fier paguajnë dëshmitarin e sajuar, Fredi Alizoti, por që, ai qe ka deleguar qepjen e kësaj afere është edhe ai që në bisedë quhet “shefi i madh” dhe që faktet provojnë se ai është Fatmir Xhafaj. Edi Rama vuri bast karrigen e kryeministrit, kur opinioni publik u njoh me faktet tronditëse të trafikut të drogës nga vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në atë kohë, Edi Rama shpalli i pari pafajësinë e Agron Xhafajt dhe akuzoi Partinë Demokratike se kishim sajuar ngjarjen”, theksoi Salianji.
Opinioni publik e ka parë përgjatë gjithë këtij viti sesi policia dhe prokuroria u vunë në shërbim të karriges së Edi Ramës dhe u investuan me sajimin e dëshmitarit të rremë kundër opozitës.
Ata sajuan dosjen sipas porosisë së Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës, për të marrë të pandehur denoncuesit e krimit qeveritar. Por, të verbuar nga pushteti, lanë pas në dosje, gjurmët tronditëse të vënies së shtetit në shërbim të mbulimit të krimit dhe falsifikimit të provave.
Për Salianjin nga ky audiopërgjim, “dëshmitari i sajuar i kërkon Drejtorit të Policisë së Fierit të takohet me shefin e madh. Këto biseda mes Drejtorit të Policisë së Fierit dhe dëshmitarit të sajuar janë zhvilluar në datat 7 dhe 8 qershor 2018. Në këto data, është e vërtetë se shefi i madh i policëve ndodhet jashtë shtetit. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme, shefi i madh, Fatmir Xhafaj, ndodhet në Kroaci, në një vizitë zyrtare”.

Ndërsa PD publikoi edhe videon e 8 qershorit, ku drejtori i Policisë së Fierit debaton më Alizotin, se prokurori nuk i kishte zgjidhur punë. Por PD-ja duket se nuk do të mbesë vetëm në rast e denoncimeve që atë që ajo pretendon se shteti mbrojti Xhafaj, por ka paralajmëruar edhe hapin tjetër.
“Përgjimet faktojnë se Edi Rama e ka humbur bastin. Ai është faktuar si arkitekti i mbrojtjes së trafikantit të drogës Agron Xhafaj, ndërsa Fatmir Xhafaj si ministri që vuri policinë dhe prokurorinë në shërbim të falsifikimit të së vërtetës. Partia Demokratike ka vendosur të kallëzojë penalisht drejtuesit e policisë së Fierit dhe 4 prokurorët e çështjes “Xhafaj” për shpërdorim detyre, falsifikim të provave dhe fshehjen e së vërtetës. Sado të paprekshëm të duken tani, narkoshteti i ndërtuar prej Edi Ramës, nuk do të triumfojë! Herët apo vonë, Edi Rama dhe shërbëtorët e tij do të përballen me ligjin dhe drejtësisë e vërtetë!”, theksoi Salianji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




