Gazeta Si – Shtyhet sërish seanca gjyqësore ndaj deputetit demokrat Ervin Salianji, i akuzuar për dosjen “Babale” që ishte caktuar të mbahej këtë të premte. Seanca në Apelin e Përgjithshëm ndaj Salianjit është shtyrë për në datë 25 korrik, në orën 10:00.
Deputeti i Partisë Demokratike nuk është paraqitur në seancë, sikundër dhe avokati i tij, Ledio Braho. Në seancën e radhës në këtë gjykatë, ku deputeti kundërshton dënimin me 1 vit burg, në mbrojtje të tij u paraqitën avokatët, Redi Ramaj dhe Marash Logu.
Dy avokatët kërkuan kohë të njihen me dosjen, duke pretenduar se ishin caktuar vetëm ditën e djeshme. Situata ngjalli reagim të avokatit të Geron Xhafajt, palë e dëmtuar në proces, i cili e konsideroi si përpjekje për zvarritje. “Shty ta shtyjmë u bë kjo seancë”, tha avokati Ardian Visha.
Për t’i dhënë kohë avokatëve të njihen me dosjen, seanca u shty për më 25 korrik, ora 10:00. Seancat e kaluara të shqyrtimit të ankimit të Salianjit në Apel kundër dënimit me 1 vit burg për akuzën e “kallëzimit të rremë”, kanë dështuar, kryesisht për shkak të mungesës së avokatëve, të cilat janë arsyetuar me shkaqe objektive.
Me një vendim fajësie që i rëndon prej 2019-ës dhe nuk ka marrë formë të prerë, Ervin Salianji nisi përballjen me Prokurorinë e Apelit që ngul këmbë se ai kreu kallëzim të rremë në dosjen “Babale” së bashku me Fredi Alizotin, Albert Veliun dhe gazetarin Jetmir Olldashi.
Dosja që tronditi politikën në atë kohë dhe që solli dorëheqjen e Fatmir Xhafës si ministër i Brendshëm, sipas prokurorisë nuk ishte gjë tjetër veçse një skenar që përfshiu dëshmitarin “X” dhe një shok të tij të joshur për përfitim personal.
Por Albert Veliu, njohur ndryshe si Babalja u largua për azil politik, kurse bashkëpunëtori i tij Fredi Alizoti i vetmi që bëri burg, sipas Gjykatës së Apelit u tërhoq nga apelimi pasi e ka vuajtur dënimin.
Ndonëse u dënua me burg, Salianji nuk shkoi në qeli, pasi u hetua dhe gjykua pa masë sigurie. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut, është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




