Ngjarje

Babai i 52-vjeçarit që ngujoi familjen mohon akuzat: Nuk është për burg, por për spital

Gazeta Si – Familjarët e Gjergj Laçit, i cili u arrestua pasi mbante ngujuar dy fëmijët dhe gruan në zonën e “5 Majit” në Tiranë, kanë mohuar akuzat ndaj 52-vjeçarit.

Babai i tij ka pohuar se i biri është me probleme të shëndetit mendor dhe sipas tij ai duhet të shkojë në spital dhe jo në burg.

I ati ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se nuk ka mundësi që i biri të jetë radikal, duke e argumetuar se ai shkonte çdo të premte në xhami.

LEXO EDHE:
Mbajti ngujuar familjen, një tragjedi që lindi nga problemet e shëndetit mendor. Asnjë nuk vuri re mungesën e gruas dhe fëmijëve për 6 vjet

“Nuk ka mundësi të jetë radikal ai. Ai çdo xhuma shkonte e falej në xhami. Radikali nuk bën nga ato veprime që thonë këta. Njeri më të drejtë e të sinqertë nuk kishte më, – deklaron babai i tij për mediat. – Punonte me ndershmëri, si usta. Shtëpinë e vet e ka rregulluar. Fëmijët e gruan nuk i ka prekur me dorë. Për atë jam dëshmitar unë, çdo ditë kur vija nga puna, vija këtu”.

I ati i 52-vjeçarit thotë se e ndihonte financiarisht të birin, pasi ai nuk punonte.

Po ashtu, ai ka thënë se nuk i ka keqtrajtuar as gruan dhe as fëmijët teksa ka shtuar se i biri nuk punonte, por nuk i linte as të tjerët që të punonin.

“E kishte si ves të vetin, as gruan se linte të punonte, as vetë jo. I kishte mbetur nga diabeti,. se e ka goditur në tru, dhe ai nuk punonte. As të tjerët si linte të punonte, se mirë vetë se ishte i sëmurë. Sëmundja e ka fajin. A duhet të shkojë në spital, jo në burg ku e kanë lënë pa insulina”, tha ai.

Ndërsa Bekim Laçi, vëllai i të arrestuarit, ka mohuar për “Shqipëria Live” të gjitha akuzat e ngritura ndaj Gjergjit.

Ai tha se fëmijët nuk janë penguar të shkojnë në shkollë, por në lagje nuk lejoheshin të dilnin për shkak se Gjergjit nuk i pëlqente shoqëria e tyre.

Ai mohoi edhe dhunën e supozuar ndaj bashkëshortes së Gjergjit, madje duke thënë se gjithçka ishte e stisur prej saj.

Gjatë marrjes në pyetje, Laçi ka mohuar të ketë dhunuar bashkëshorten e tij Elena si dhe dy djemtë, Albanin dhe Sulltanin, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç.

Laçi ka dëshmuar para oficerëve të Policisë dhe të Antiterrorit se nuk i linte fëmijët të dilnin nga banesa për të mos u infektuar.

“Kam ndjekur parimet e mia fetare. Fëmijët dhe bashkëshorten nuk i kam lënë të dalin për t’i ruajtur nga e keqja. Nuk doja që ata të nisnin drogën apo të infektoheshin”, ka pohuar Laçi.

Por krahas dëshmisë së tij, dy djemtë dhe nëna e tyre kanë treguar në prani të psikologëve se ata dhunoheshin sistematikisht. Tanimë ata janë dërguar në një qendër rehabilitimi.

I dënuar më parë për armëmbajtje pa leje Xherxh (Gjergj) Laçi, mbante të mbyllur prej 6 vjetësh duke i dhunuar sistematikisht dhe kërcënuar me armë të ftohta, bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, të cilët nuk i lejonte të frekuentonin shkollën, për shkak të bindjeve të tij radikale.

Gjergj Laçi nga Dibra, pritet të dalë të martën në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë