Biznes

Aziatikët nuk ishin zgjidhje. Hoteleritë nuk kanë një ‘plan B’ për gjetjen e punonjësve në turizëm

Nga Gazeta ‘Si’- “Shpresojmë që sezoni turistik të mos zgjasë shumë përtej shtatorit”, është fjalia atipike që të ngjall jo pak çudi kur e dëgjon të thënë nga një pronar hoteli në jug të vendit, i cili jeton me turizmin.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, mungesa e punonjësve po i detyron hoteleritë të bëjnë “sa dhe si të munden” këtë sezon.

“Ndonëse i kemi nisur kërkimet që në mars, nuk gjetëm staf as për kuzhinën dhe as sanitare për pastrimin e hotelit pavarësisht se u kemi ofruar rroga mjaft të larta dhe gjithashtu akomodim e ushqim”, tregon ai për Gazetasi.al ndërsa shton se për rrjedhojë e ka mbajtur të mbyllur restorantin.

I gjithë hoteli në afërsi të plazhit të “Livadhit”, me 13 dhoma, mbahet nga vetëm 4 familjarë.

“Ka qenë lodhje e jashtëzakoshme ndaj duam që sezoni të mbarojë sa më shpejt. Mungesa e stafit është alarmante dhe po dëmton ndjeshëm cilësinë e shërbimit pasi unë nuk ofroj dot atë që do doja të ofroja. Jemi në një situatë që nuk kërkojmë dot staf të kualifikuar. Ah sikur të kishim vetëm forcë punëtore!

Për momentin, po sajohemi si të mundemi për këtë vit”, vëren ai më tej.

Në një vazhgim që Gazetasi.al bëri, situata nuk ndryshonte fort as në hotelet e tjera në jug të vendit. Një pjesë e konsiderueshme mbaheshin po nga familjarët që bënin vetë rolin e kamerierit, recepsionistit apo kuzhinierit ndërkohë që prurjet turistike janë në ritme më të larta krahasuar me një vit më parë.

Pas rekrutimit të punonjësve aziatikë që nuk rezultoi shumë efektiv, pronarët pohojnë se nuk kanë më asnjë plan "B" për zgjidhjen e kësaj situate.

Sipas të dhënave të mbledhur nga tur-operatorët, sektorit këtë vit i mungojnë rreth 15 mijë punonjës.

“Të trajnohet dhe angazhohet komuniteti rom”

"Punonjësit e huaj që Shqipëria rekrutoi nga Bangladeshi, Nepali apo Filipinet dështuan pasi të gjithë e përdorën Shqipërinë si trampolinë drejt vendeve të tjera.

Gjithashtu ka vështirësi edhe në të mësuarit e zakoneve dhe mënyrave të punës.  Në këtë situatë duhet të gjendet një zgjidhje me politika stimuluese ndaj punonjësve vendas.

Një rekomandim është angazhimi i komunitetit rom në shërbime dhe jo vetëm në punë të rëndomta. Gjithashtu është e rëndësishme në planin afatgjatë të masave ngritja e shkollave profesionale në qytete sipas kërkesës së bizneseve. P.sh në Berat shkollë për guida, në Vlorë për shef kuzhine, shef salle, recepsion, menaxher hoteli, somelier”, rekomandon Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bar-eve dhe Restoranteve.

Jahaj rekomandon se duhet të gjendet një zgjidhje me politika stimuluese ndaj punonjësve vendas

Gjithashtu ai shton se nevojitet edhe ndihmë për biznesin që të mund të mbajë punonjësit gjatë gjithë vitit me pagë, në mënyrë që të jenë të gatshëm për në pikun e sezonit turistik.

Të njëjtën ide e mbështet edhe Zak Topuzi, drejtuesi i Shoqatës së Hotelerisë.

“Pas një sezoni 3-5 muaj ky punonjës, në rastin më të mirë duhet t’i kthehet bujqësisë apo ndërtimit.

Por a mundet të kesh shërbim me standarde kur ke punonjës sezonalë dhe nuk mund të kryesh trajnime pasi pas kësaj periudhe ata duhet të largohen?”

"Shifrat pozitive të prurjeve turistike aq sa duhet të na gëzojnë në njërën anë, duhet të shërbejnë edhe si këmbanë alarmi në anën tjetër"

Topuzi ka theksuar edhe më herët se shifrat e turistëve aq sa na gëzojnë, duhet të shërbejnë edhe si këmbanë alarmi.

“Platforma Booking konfirmon trefishim të rezervimeve për Shqipërinë, në periudhën qershor-gusht 2023. Ky është një lajm i mirë, por njëkohësisht kambanë alarmi për mobilizimin jo vetëm të strukturave të shërbimit, por dhe pushtetit qendror e atij lokal”, thotë ai ndërsa deklaron se aktualisht 75% e hoteleve në Shqipëri vuajnë nga mungesa e punëtorëve, krizë e cila pritet ende të thellohet pasi numri i bizneseve është dyfishuar.

Frika parësore e të gjithë përfaqësuesve të sektorit me të cilët Gazetasi.al kontaktoi ishte se si shërbimi jocilësor do i bëjë turistët të mos duan më të rikthehen në Shqipëri.

“Se sa kjo situatë do ndikojë në dëm të cilësisë do shihet në përfundim të sezonit duke qenë se edhe në gusht pritet një numër i lartë turistësh.

Megjithatë, turistët e huaj të cilët ndajnë përshtypjet deri tani theksojnë se do të kishin dashur që restoranti në hotelin tim të kishte qenë hapur në mënyrë që të mos ju duhej shumë të lëviznin për të konsumuar ushqim. Gjë që sigurisht në syrin e tyre nuk konsiderohet shumë pozitive dhe mund t’i bëjë të peshojnë rikthimin”, thekson më tej për Gazetasi.al pronari i hotelit në Livadh.

Aktualisht sipas tur-operatorëve mungojnë punonjës të të gjitha profileve.

Në profilin e ulët mungesat janë për kamarier; banakier; ndihmës kuzhinier dhe staf mirëmbajtjeje. Ndërsa në profilin e mesëm ka mungesa për guida turistike; shoferë mjetesh transporti për qëllime turistike; ciceronë të siteve turistike dhe organizatorë të aktiviteteve re-kreative.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë