Në Kongresin e PS-së është përcaktuar një axhendë e cila më tepër parashikon dhënien e mesazhit për mbi qeverisjen aktuale se sa më tepër që të shpallë kandidatët për kryetar bashkie. Por megjithëse nuk do të shpallin emra të plotë, Kongresi parashikon në axhendë që të flasë disa nga kryetarët e bashkisë, të cilët mendohet se janë edhe si të rikonfirmuar. Armando Subashi i Fierit, Sotiraq Filo i Korçës, Dritan Leli i Vlorës, Majlinda Bufi e Roskovecit janë kryebashkiakët që do të shfaqen si një model suksesi që do të flasin në panel te cështja “Bashkia që Duam”. Natyrisht këto emra pritet që të rikonfirmon si kandidatë të socialistëve dhe për zgjedhjet e 30 qershorit.
Por ajo që bie në sy në axhendën e PS-së është se për modelin e “Bashkia që duam” do të flasin edhe prefekti i Elbasanit, Gledian Llatja dhe deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu për bashkinë e Lezhës. Automatikisht ato do të shihen si kandidatë të PS-së për bashkinë e Elbasanit dhe të Lezhës.
Natyrshëm Kongresi është konceptuar që nga salla e Pallatit të Kongreseve të dalin në sheshin “Nënë Tereza” ku do të bëhet aktivitti “Tirana që duam” ku do të shpallen zyrtarisht edhe kandidatura e Erjon Veliajt për Bashkinë e metropolit shqiptar. Gjithashtu do të shpallet edhe lista e kandidatëve për këshillin bashkiak të Tiranës.
Në listën e kryebashkiakëve që do të flasin mungon ai i Durrësit, Vangjush Dako. Ky shihet si një sinjal që PS nuk pritet të kandidojë për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Këta janë të vetmit kandidatë zyrtarë që do të shpallen për bashkitë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Pas diskutimeve të Veliajt dhe prezantimit të kandidarëve për në këshillin bashkiak do të flasë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Kjo është pjesa e seancës së dytë të Kongresit, e cila parashikon fjalim në shesh.
Kongresi do të nisë me fjalën hyrëse të sekretarit të Përgjithshëm, Taulant Balla, për të filluar më pas me fjalimet e zv.kryeministrit Erjon Brace dhe të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj sa i përket bashkëqeverisjes me njerëzit. Gjithashtu do të prezantohet si modele suksesi të bashkëqverisjes me njerëzit dëshmitë e disa prej tyre. Paneli do të vijojë me prezantimin e arritjeve në sektorë të ndryshëm ku do të flasin 7 ministrat; i Bujqësisë, Bledi Cuci; e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku; e Shëndetësisë, Ogerta Manastirlliu; e Arsimit, Besa Shahini; i Turizmit, Blendi Klosi dhe e Kulturës, Elva Margariti. Në orën 13:30 parashikohet mbyllja e seancës së dytë dhe pas një pushimi në ora 15:00 do të nisë seanca e tretë e ndarë në tre panele: “Bashkitë që Duam për Shqipërinë që Duam” – Pallati i Kongresve; “Edukim Cilësor dhe Punësim për të Rinjtë” – Pallati i Kongresve dhe “Reforma Zgjedhore dhe Vota e Emigrantëve” në ish hotel Sheraton.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.