Ngjarje

Avokati Sokol Mëngjesi ende në rrezik për jetën, autorët vijojnë të jenë në arrati

Gazeta Si - Kur kanë kaluar dy ditë nga dhuna e pësuar nga 3 persona në një zonë të ish-Bllokut, gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi duket e stabilizuar.

Kjo, sipas parametrave që tregojnë monitorët në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi avokati vazhdon të jetë i intubuar.

Sipas TCH, shefi i shërbimit të Neurokirugjisë, Prof. dr. Fatos Olldashi, tha se për sa kohë është i intubuar, diskutohet ende për jetën.

Por nëse vazhdon me këto parametra, pra me ulje të edemës që ka në pjesën e përparme të trurit, do të tentohet zgjimi i tij ditën e hënë, pra të nxirret nga intubimi.

Të njëjtën gjë tha edhe një ditë më parë, shefi i Urgjencës te Spitali i Traumës Gjovalin Bushi. Ai u sgpreh se pacienti ka dëmtime të shumta në kokë, ndërsa tha se orët në vijim janë vendimtare, në raport me atë sesi do të reagojë Mëngjesi.

Sipas Bushit, në këto kushte nuk do të ketë një ndërhyrje kirurgjikale, por Mëngjesi do të vijojë të jetë në monitorim.

Ndërkohë, policia vijon ende kërkimet për kapjen e tre autorëve të tjerë të shpallur në kërkim, por deri tani pa asnjë rezultat.

Sipas sistemit TIMS, ata rezultojnë të jenë brenda vendit, por grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që të jenë larguar jashtë vendit në mënyrë ilegale.

Sokol Mëngjesi u dhunua ditën e mërkurë në mëngjes sapo la fëmijën në kopsht në zonën e ish-Bllokut në rrugën “Pjetër Bogdani”.

Personat e shpallur në kërkim janë Elton Kasaj e Drivald Alia, si pjesëmarrës në sulmin ndaj avokatit. Ndërsa Romario Tabaku po kërkohet, pasi ndihmoi autorët të largohen nga vendi i ngjarjes me makinë.

Pas sulmit në polici është vetëdorëzuar Dorian Alia. Ky i fundit tha se nuk donin ta vrisnin avokatin Mëngjesi, por thjesht ta frikësonin.

Ngjarja dyshohet se është organizuar nga Dritan Nano, 58-vjeç, i cili pasi ka shkuar vetë në polici, ka mohuar akuzat.

Policia tha se avokati Sokol Mëngjesi e ka përfaqësuar atë në një proces civil për trashëgiminë e një prone në Tiranë.

Mëngjesi e ka fituar çështjen gjyqësore, por dyshohet se Nano nuk ka pranuar të plotësojë kushtet ligjore të kontratës që kishte me të.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë