Politike

Avokati i Popullit/ PS refuzon ‘formulën’ e PD, në votim do hidhen të gjithë kandidatët

Nga Gazeta ‘Si’- Mazhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Burime bëjnë me dije se Partia Socialiste nuk do të pranojë formulën e propozuar nga Partia Demokratike, sipas së cilës opozita do i sugjeronte mazhorancës 6 emra, prej të cilëve shumica zgjedh 3. Më pas, nga 3 emrat e mbetur, opozita zgjedh vetëm një emër të cilin ia propozon seancës plenare për votim.

Siç sqarojnë burimet, PS pritet që të hedhë për votim në seancë plenare të gjithë listën e kandidatëve që kanë marrë 28 firma dhe jo vetëm një kandidat siç propozon PD.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit pritet të futet në rend ditë në seancën plenare të 11 dhjetorit, kur pritet miratimi nen për nen i buxhetit 2026, pasi procesi është pjesë e detyrimeve që burojnë nga Bashkimi Europian.

Burime bëjnë me dije se kandidati Endri Shabani pritet të marrë mbështetjen e PS në parlament më 11 dhjetor për t’u zgjedhur avokati i ri i popullit. Deri më tani demokratët kanë mbështetur me firma disa prej tyre si Jola Hysi, Adriana Kalaja, Endrit Shabani, Besim Ndregjoni, Sajmir Visha, Tartar Bazaj, Dardan Mustafa apo Shkëlqim Sulo.

Një ditë më parë kreu i grupit parlamentar Taulant Balla tha se Partia Socialiste është tërhequr nga propozimi për kandidaturat e Avokatit të Popullit, duke theksuar se do të pranojë kandidatët e opozitës për këtë post.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë