Nga Gazeta ‘Si’- Kryedemokrati Sali Berisha ka folur me tone të larta në mbledhjen e Kryesisë së PD-së pasi mazhoranca votoi Endri Shabanin për Avokat Populli.
Berisha njoftoi se PD do të ndërpresë çdo lloj diskutimi me PS-në, të cilën ai e quajti “partia e krimit”, ndërsa sërish i kërkoi ndjesë mbështetësve të opozitës për gabimin në dhënien e firmave.
“PD ndërpret çdo lloj negociate, çdo lloj diskutimi, debati për çdo lloj personi me palën dhunues.
Merr fund, nuk mundet kurrë më. Ai u angazhua në proces, kishim kandidaturën tonë dhe ata që thonë se nuk u fol për Adriana Kalanë dhe Besim Ndregjonin, nuk ka folur për asnjë kandidat më shumë se ata.
Kishim shumë kandidatura të tjera shumë të mira. Ne do t’i përgjigjemi atij, ndërpresim çdo lloj debati e diskutimi për çdo lloj funksioni e posti me partinë e krimit. Kështu që ne ndaj atij akti i përgjigjemi me ndërprerjen e të gjitha komunikimeve për persona apo debate për persona të caktuar, funksione të caktuara”, tha Berisha.
Ai tha edhe njëherë se dhënia e firmave për Endri Shabanin ishte një gabim nga çdo deputet demokrat.
Sipas tij, pretendimi i mazhorancës se Shabani u zgjodh me firmat e PD nuk qëndron.
Ai shtoi se ishte akt i nxituar, por theksoi se PD i tërhoqi firmat dhe se është votuar vetëm me votat e PS.
“Ka qenë akt i nxitur dhe gabim i çdokujt që ka firmosur. Dje kërkova ndjesë para demokratëve dhe përsëri kërkoj ndjesë publike për këto firma dhe këtë akt të nxituar të deputetëve të PD. Nuk mund ta bënin atë. Këto firma u dhanë në një periudhë kur u vendos një koalicion opozitar në mbështetje të kandidatit të bashkisë për Tiranën, por nga ana tjetër theksoj se firmat janë tërhequr me firmë.
Janë tërhequr me firmë, jo me deklaratë publike dhe në mënyrë absolute në çdo parim dhe në çdo ligj, ai nuk është kandidat i opozitës. Deri në momentin e fundit, propozuesi ka të drejtë të tërheqë propozimin. Shabani nuk ka pasur asnjë firmë nga PD në momentin që është votuar. Asnjë deputet i PD nuk ka votuar për Endri Shabanin. Deri në momentin e votimit, propozimi mund të tërhiqet dhe ai ishte tërhequr ditë më parë. Kështu që askush nuk mund të përligjë, të mashtrojë të bëjë tellallin e Ramës, se e bëri meqë kishte firmos opozita. E bëri sepse donte të merrte me çdo kusht institucionin”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




