Drejtësia

Avokati i Ilir Metës: Hetimet janë mbyllur në gusht 2025, mbahet në paraburgim jashtë afateve

Gazeta Si – Avokati Ilir Metës, Kujtim Cakrani, denoncoi standardet e dyfishta të ndjekura nga GJKKO për hetimet dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paprecedentë dhe të paligjshme sipas tij të ish-presidentit.

Meta ndodhet i paraburgosur prej 21 tetorit 2024 dhe nën hetim e proces gjyqësor për pasurinë, lobimin në SHBA dhe dosjen CEZ-DIA.  

Por sipas Cakranit, klienti i tij ndodhet në izolim total në qelitë e 313, pa asnjë provë dhe në tejkalim të afateve ligjore. Në një deklaratë për mediat, ai e cilësoi burgosjen e Metës si një sulm politik ndaj tij.

“Kemi bërë një kërkesë për zëvendësimin e masës dhe kjo kërkesë ishte bazuar për t’i dhënë pamjen e një drejtësie që funksionon. Por gjyqtarja Irena Gjoka nuk e pranoi kërkesën, por ne do të vazhdojmë. Kjo është betejë ligjore. Meta është në paraburgim dhe ka kaluar çdo standard. Kur sillet drejtësia me një personazh që ka historinë politike në 34 vite, imagjinoni çfarë bëjmë me qytetarët këta”.

Ai bëri thirrje për respektim të të drejtave të njeriut dhe standardeve minimale të shtetit të së drejtës për rastin “Meta”.

“Meta ndodhet në një izolim total. Atij nuk i jepet mundësia që të komunikojë me qytetarët, kolegët, bashkëpunëtorët. Gjithsesi kjo është ana politike, – u shpreh ai. – Problemi është që hetimet kanë përfunduar që në 4 gusht të vitit 2025. Ndërkohë, Meta ndodhet ende në seancë paraprake. Jemi plot 5 muaj e gjysmë dhe nuk kemi nisur seancën paraprake”.

Cakrani vëren se kjo është “një shkelje shumë e rëndë e ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ne kërkojmë standardin minimal të një shteti të së drejtës”.

Mbrojtësi tjetër i Metës, Gylsen Zhllima, shpjegoi se në dosje nuk ka asnjë provë që e lidh Metën me akuzat që ka ngritur prokuroria, as për pasurinë dhe as për CEZ-DIA.

Para dy ditësh, GJKKO vendosi të shtyjë më 22 janar seancën paraprake të dosjes në ngarkim të ish-presidentit Meta dhe të pandehurve të tjerë, ku pritej të vendoset nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim.

Në fillim të muajit dhjetor, një inspektim i Avokatit të Popullit mbi kushtet e paraburgimit të Ilir Metës, pas ankesës së tij, evidentoi një sërë problematikash që lidhen me trajtimin e ish-presidentit në qeli.

Sipas raportit zyrtar, Meta nuk po trajtohet në përputhje me standardet e parashikuara nga ligji.

Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje. Dosja “Meta” përfshin gjithashtu hetime ndaj nënës së Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.

Të pandehurit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave dhe mosdeklarimin e pasurive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë