Drejtësia

Avokati i Ergys Agasit: Nuk është arratisur, do vetëdorëzohet. SPAK nuk ka prova

Gazeta Si – Maks Haxhia, avokati i biznesmenit të shpallur në kërkim, Ergys Agasi, ka shkuar në SPAK për të kërkuar vënien në dispozicion të materialeve hetimore për klientin e tij, i akuzuar për grup kriminal dhe pastrim parash në hetimet që kanë përfshirë dhënien e tenderëve në mënyrë korruptive nga AKSHI.

Pavarësisht provave të dosjes hetimore të publikuara deri më tani, Haxhia pretendoi se po bëhej një “gjueti shtrigash” ndaj Agasit dhe se ky i fundit nuk kishte lidhje me abuzimet e tenderëve te AKSHI.

Sa i takon vendndodhjes së Agasit, Haxhia tha se ai nuk është arratisur, por ndodhet jashtë vendit duke lidhur marrëveshje biznesi.

“Kemi kontaktuar me Prokurorinë e Posaçme për të na vënë në dispozicion atë material hetimor që ia ka vënë në dispozicion medias. Për t’i thënë prokurorisë që para se t’ja japë medias, t’ja japë njëherë personit nën hetim. Për t’i treguar opinionit që është mbarsur me gjueti shtrigash që po shfrytëzohet edhe nga politika duke e pasur Agasin si kryeministër në hije”, – tha Haxhia.

Sipas avokatit, Agasi do të përballet me drejtësinë: “Patjetër që do të vetëdorëzohet, kur të kthehet, do mbajë qëndrimin për t’u përballur me drejtësinë”.

Haxhia theksoi se “SPAK e komprometon”, dosjen, sikundër “nxjerrja e të dhënave” në media, ndërsa “konkluzionin e nxjerr politika dhe opozita”.

“Kur nuk është politikan ç’lidhje ka ai me emërime? SPAK thotë ato që do SPAK, por jo ato që janë në realitet dhe prova, nuk ka asnjë provë që Agasi të jetë marrë me fushën e tenderave, por as nuk njihet me personin”, tha ai duke iu referuar Gerond Meçen, i cili u mor peng dhe u kërcënua që të hiqte dorë nga ankimimet për tenderët e AKSHI-t.

Ergys Agasi, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK, akuzohet për veprat penale “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Heqje e paligjshme e lirisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë