Drejtësia

Avokatët, protestë para KLGJ-së më 14 korrik kundër hartës së re gjyqësore

Gazeta Si – Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka njoftuar se do të mbajë një protestë në datën 14 korrik përpara KLGJ-së, në kuadër të bojkotit të proceseve gjyqësore lidhur me miratimin e hartës së re gjyqësore.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka njoftuar të gjithë avokatët e Shqipërisë që protesta do të mbahet më 14 korrik në orën 11:00.

Prej tre javësh avokatët në të gjithë vendin janë në grevë, duke bojkotuar seancat, si reagim i hartës së re gjyqësore  që pritet të miratohet nga qeveria.

Por bojkoti i tyre ka shfaqur edhe  probleme sociale, pasi shumica e mbrojtësve ligjore duhet të paguajë detyrimet.

Ndërsa ata po përballen edhe me reagimet e klientëve, të cilët kërkojnë të shkojnë në seancat gjyqësore.

Avokatët vazhdojnë bojkotin prej disa javësh, ndonëse të përçarë, ndërsa qeveria e gjyqësorit nuk zmbrapset dhe këmbëngul se të gjitha Gjykatat e Apelit duhet të mblidhen në një të vetme në Tiranë.

Këtë të martë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, deklaroi se do të paraqesë mendimin e institucionit që ai drejton në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, që mbahet të mërkurën, duke lënë të kuptohet se do të kalojë për miratim së shpejti.

KLGJ, si pasojë e mungesës së gjykatësve për shkak të shkarkimeve nga Vettingu, propozoi që në Shqipëri të ketë vetëm 12 Gjykata të Shkallës së Parë nga 23 që ishin dhe vetëm një Gjykatë Apeli që do të vendoset në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë