Avokatët paralajmërojnë bojkotimin e seancave gjyqësore si formë proteste ndaj vendimit të së premtes të Këshillit të Lartë Gjyqësor që miratoi hartën e re gjyqësore.
“Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë si hap te parë vendosi të bojkotojë të gjitha proceset gjyqësore, me përjashtim të masave të sigurimit, të planifikuara për gjykim, në të gjitha nivelet e gjykatave përfshire edhe proceset e planifikuara në Gjykatën e Lartë nga data 14 deri ne datën 17 qershor”, thuhet në deklaratën e Dhomës së Avokatisë.
Avokatët thonë se vendimi për miratimin e hartës së re gjyqsore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta.
“Ky vendim cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtesi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes ne ceshtjet penale, civile dhe administrative”, vijon deklarata, duke shtuar se propozimet e Dhomës nuk janë marrë parasysh.
Dhoma e Avokatisë i bën thirrje ministrit të Drejtësisë që të përcjellë në qeveri, si institucioni vendimmarrës, gjithë argumentet që ka parashtruar për rrëzimin e hartës.
KLGj miratoi hartën e re gjyqësore, ku shkrihen 9 gjykata rrethesh. Sipas propozimit, gjykatat e shkallës së parë transformohen në gjykata të juridiksionit të përgjithshëm dhe ngrihen në 12 qarqet, plus Sarandën, pra 13 në total.
Ndërkohë, Gjykatat e Apelit reduktohen nga 6 që janë aktualisht në vetëm një për të gjithë vendin me zyra në Tiranë.
Në relacionin shoqërues, KLGj mbron vendimin me arsyetimin se do të rrisë cilësinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



