Politike

Avokatët në grevë e bojkot prej javësh, qeveria miraton hartën e re gjyqësore

Qeveria ka miratuar hartën e re gjyqësore teksa avokatët janë në protestë dhe kanë bojkotuar seancat gjyqësore prej disa javësh.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se harta është bashkëpropozim me KLGJ-në dhe implementimi i saj do të bëhet me faza.

“Është miratuar harta e re gjyqësorë. E rëndësishme për zbatimin e reformës në drejtësi. Harta e re gjyqësore është bashkëpropozim i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe i Ministrisë së Drejtësisë.

Është produkt i një grupi ekspertësh të KLGJ, asistuar edhe nga ekspertë të Këshillit të Evropës por edhe nga ekspertë të tjerë ndërkombëtar”, tha Manja.

Sipas tij, në gjykatat që do mbyllen nuk do të cënohet asnjë shërbim gjyqësor.

“Implementimi i hartës do bëhet me faza. Më 1 shkurt do të kemi përqendrimin e gjykatës së apelit në Tiranë. Më 1 maj gjykatat e shkallës së parë dhe 1 korrik ato Administrative.

Harta e re gjyqësore ka disa risi, do bëjë shpërndarje të drejtë të çështjeve tek gjyqtarëve, do ulë kostot, ajo që kemi sfidë është që këtë fazë tranzitore, do e shfrytëzojmë si periudhë edukimi të qytetarëve për gjykatat e reja”, deklaroi Ministri I Drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë