Bota

Avioni ushtarak francez shënjestrohet nga radarët rus mbi Detin Baltik. Parisi: Një akt lufte!

Gazeta Si – “Është një akt lufte që mund të interpretohej si një sulm i hapur dhe i drejtpërdrejtë kundër aeroplanit francez”, – komentoi eksperti i Aeronautikës dhe Mbrojtjes, Xavier Tytelman në rrjetin TF1.

Të mërkurën e kaluar, një aeroplan zbulues i Forcave Ajrore Franceze u vu në shënjestër të radarëve të ushtrisë ruse.

Një veprim që mund të kishte çuar në “shkatërrimin e baterisë ruse që na kishte vënë në shënjestër”.

Avioni francez “Atlantic 2”, u ngrit nga Brittany të mërkurën. Ai kaloi gati pesë orë jashtë brigjeve të Suedisë dhe Balltikut, duke kontrolluar rreth 200 anije, kryesisht tregtare, pa pikasur asnjë mjet detar të dyshimtë.

Në muajt e fundit, shumë kabllo nënujore për telekomunikacionin dhe furnizimin me energji janë dëmtuar në Detin Baltik, akte që shumë ekspertë dhe udhëheqës perëndimorë thonë se janë pjesë e “luftës hibride” të nisur nga Rusia kundër aleatëve europianë të Ukrainës.

Sipas një komunikimi nga ushtria franceze, “Atlantic 2” ishte viktimë e një “përpjekjeje bllokimi” dhe një “ndriçimi nëpërmjet radarit të drejtimit të zjarrit”.

“Të drejtosh radarin drejt avionit tonë në ujërat ndërkombëtare është një veprim agresiv”, shpjegon koloneli Guillaume Vernet, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm Francez.

Në zhargonin ushtarak, termi “ndriçim” i referohet aktit të synimit të një objektivi duke përdorur radarin.

Një nismë e tillë “nuk është e jashtëzakonshme në këtë fushë” dhe “tregon se Rusia reagon ndaj nismave tona”, shtoi ai.

Rusia “shprehu armiqësinë e saj në mënyrë të përmbajtur”, por “sjellja profesionale e ekuipazhit francez shmangi përshkallëzimin, duke lejuar ende vazhdimin e misionit”, deklaroi koloneli Vernet.

Lloji i incidentit të pësuar nga avioni francez, “më tepër i rëndë”, është “i zakonshëm” dhe “kapërcen shumë kufijtë e Europës”, ​​komentoi gjenerali amerikan, Christopher Cavoli, komandant i forcave të NATO-s në Evropë, gjatë një konference për shtyp në Bruksel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë