Bota

Avioni privat i ‘kuzhinierit të Putinit’ që po fut në sherr SHBA-Gjermani

BERLIN – Midis skenarëve të Luftës së Ftohtë dhe testeve teknike të dialogut midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, një rast tjetër ndërkombëtar po diskutohet, për momentin, në prapaskenë, rreth një avioni privat që ka mbi dy vjet që është parkuar në një pistë në aeroportin e Berlinit.

Është një histori që përfshin në vetvete të gjithë elementet, qëndrimet dhe kontradiktat, në sezonin e ri të ngricave dhe tensioneve mes Perëndimit dhe Moskës.

Avioni në fjalë është një Haëker 800XP luksoz, i cili u ul më 29 tetor 2020 në aeroportin Schönefeld të Berlinit dhe që atëherë ka qëndruar atje, me sa duket për mirëmbajtje.

Por ky nuk është avioni i një miliarderi të zakonshëm. Sipas qeverisë amerikane, avioni është në fakt në pronësi të Yevgeny Prigozin, i njohur ndryshe si “kuzhinieri i Putinit”, një nga oligarkët më të afërt me liderin rus.

Në galaktikën Putiniane, roli i Prigozin në fakt shkon përtej gastronomisë: ai është themeluesi dhe pronari i milicisë Ëagner, ushtria private që bën luftëra në emër të Kremlinit në Siri, Libi dhe së fundmi në Mali. Për më tepër, sipas një raporti sekret gjerman të inteligjencës, Prigozin është gjithashtu pas Agjencisë së Kërkimeve në Internet, që ka fabrikuar lajme të rreme dhe propagandë pro-ruse në rrjetet perëndimore prej vitesh. Në tentative për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA, miliarderi akuzohet në SHBA për konspiracion dhe financim të ndikimeve të paligjshme dhe kërkohet nga FBI.

Prigozin është gjithashtu një nga emrat në listën e sanksioneve nga SHBA dhe Bashkimi Evropian kundër Moskës pas aneksimit të Krimesë dhe çështjes “Navalny”. Ata që janë në atë listë nuk mund të hyjnë në Evropë dhe pasuritë e tyre mund të konfiskohen.

Kjo është pikërisht ajo që qeveria amerikane i kërkoi Gjermanisë disa muaj më parë: sekuestrimin e Haëker, në vlerë prej 2 milionë eurosh. Por siç zbulon e përjavshmja Die Zeit, qeveria federale ka diskutuar në diskrecion të plotë për javë të tëra se çfarë duhet të bëjë. Problemi, apo justifikimi sipas amerikanëve, është se avioni i përket një kompanie guaske, e regjistruar në San Marino, e quajtur Club Group.

Në realitet, kjo e fundit do të ishte një kompani fiktive e kontrolluar nga Uni Jet, një kompani e drejtuar nga një besnik i Prigozin, Artem Stepanov, njeriu që drejtonte fizikisht avionin kur u ul në Berlin.

Për këtë arsye, që nga pranvera e vitit 2021, edhe ai është vendosur në listën e sanksioneve amerikane.

Në qeverinë gjermane qëndrimet janë të ndryshme. Ministria e Jashtme, tashmë e udhëhequr nga Annalena Baerbock, do të tundohej të jepte një sinjal, duke i dhënë të drejtë kërkesës amerikane. Por ajo e Ekonomisë është më e kujdesshme, nga frika se baza ligjore për një vendim konfiskimi nuk është aq e fortë dhe sekuestrimi mund të kundërshtohet në gjykata me një rezultat të pasigurt. Akoma më i kujdesshëm është kancelari Olaf Scholz, i cili do të donte të shmangte atë që do të dukej si një akt armiqësor ndaj Putinit.

Ndërkohë, Berlini ka gjetur një zgjidhje “të stilit gjerman” duke hapur një procedurë doganore për të verifikuar statusin e mirëmbajtjes së avionit. Një mënyrë për të marrë kohë dhe për të mos ofenduar askënd.

Marrë nga “Corriere.it”/ Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë