Gazeta Si – Një avion pasagjerësh që u nis nga Kansas me 64 persona në bord ka rënë në lumin Potomac në Uashington të SHBA-ve, pasi u përplas me një helikopter ushtarak, ku ndodheshin tre ushtarë amerikanë.
Deri tani, sipas mediave amerikane, thuhet se nuk ka të mbijetuar Përplasja ka ndodhur pranë pistës 33 në Aeroportin Kombëtar të Uashingtonit “Ronald Reagan” rreth orës 21:00 (të mërkurën) me orën lokale, ndërsa vijojnë kërkimet për të trupat e pajetë.
Ekuipazhet e emergjencës në Uashington DC po vijojnë prej orësh me kërkimet intensive në lumë, ndërsa në mediat amerikane thuhet se ka gjasa që aeroplani “American Eagle Flight 5342” të jetë ndarë në dysh.

Për ngjarjen, ka reaguar edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donad Trump. “Jam informuar për aksidentin e tmerrshëm, Zoti i bekoftë shpirtrat e tyre!”, ka thënë ai në një deklaratë.
Sipas CBS, e cila citon një zyrtar, të paktën 19 trupa janë gjetur deri më tani, ndërsa asnjë i mbijetuar nuk është gjetur deri më tani.
Pas përplasjes, avioni u nda në dysh dhe rrënojat gjenden mbi dy metra thellësi në ujërat e akullta të lumit, ku u rrëzua edhe helikopteri ushtarak.
Një nga dy kutitë e zeza u gjet. Nuk dihen ende shkaqet e tragjedisë: mes hipotezave, një gabim njerëzor apo një problem teknik, por FBI ndërkohë ka përjashtuar që të ishte një akt terrorist.

Përplasja kujton rrëzimin e një fluturimi të Air Florida që u rrëzua në ujërat e lumit Potomac më 13 janar 1982, duke vrarë 78 njerëz.
Ai aksident i atribuohet motit të keq, por dje qielli mbi kryeqytetin amerikan ishte i kthjellët. Vitin e kaluar, megjithatë, pati një aksident pothuajse në aeroportin “Rega”, ku përfshihej një tjetër aeroplan i “American Airlines”.
Përplasja e afërt në ajër e dy avionëve që ishin brenda 1.300 këmbëve (400 metra) nga njëri-tjetri, e shtyu FAA të hetonte.
Hetimet zbuluan se një fluturim i “American Airlines”, i cili nisej për në Boston, ishte lejuar për t’u ngritur, por leja u anulua më vonë për të shmangur një përplasje me një aeroplan të “King Air”, i cili po mbërrinte dhe ishte lejuar të ulej në një pistë afër.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu ngushëllimet për viktimat e rrëzimit të avionit. “Zoti i bekoftë shpirtrat e të përfshirëve”, thuhet në një shënim të publikuar në platformën sociale “X” nga Shtëpia e Bardhë, në të cilën Trump falënderon edhe ekipet e emergjencës të angazhuar në kërkimin e të mbijetuarve.
Më pas, në “Truth Social”, ai shprehet: “Aeroplani ishte në një linjë të përsosur dhe rutinë për në aeroport. Helikopteri po shkonte drejt avionit, pse nuk u ul apo u ngrit ose pse nuk u kthye? Pse kulla e kontrollit nuk i tha helikopterit se çfarë të bënte në vend që ta pyeste nëse e pa aeroplanin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.